Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 06.02.2013




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetari Fikrim Damka, ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, para miratimit në parim.

Në cilësi të propozuesit, deputetja Albana Fetoshi prezantoi projektligjin, në të cilin përfshihet edhe kategoria e personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Ajo tha se gjatë hartimit të tij janë marrë parasysh praktikat më të mira të vendeve të rajonit, të dala nga lufta.

Anëtarët e komisionit, duke shprehur dhembjen dhe solidaritetin e tyre, theksuan nevojën e gjetjes së mënyrës për t'i dalë në ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë, por potencuan edhe vështirësitë që bartë në vete ky proces.

Rrjedhimisht, komisioni u pajtua që para procedimit të mëtejmë të projektligjit, gjatë ditëve në vijim të zhvillohen konsultimet e nevojshme me faktorët relevantë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale