Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 01.02.2013
Mbledhja e rregullt plenare e nisur dje, vazhdoi edhe sot nën kryesimin e dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje (një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan për herë të parë një mori projektligjesh në lexim të parë dhe disa raporte të komisioneve.
Fillimisht, u shqyrtua Projektligji për planifikimin hapësinor, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi. Ai nga deputetët kërkoi mbështetje për miratimin e këtij Projektligji dhe sqaroi se është i harmonizuar edhe me Ligjin për ndërtimet (i miratuar kohë më parë në Kuvend). Pas kësaj, lidhur me këtë Projektligj u deklaruan shefat e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve përkatëse. Me këtë rast, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, qëndrimet e së cilës i paraqiti, deputeti Liburn Aliu, grupet e tjera parlamentare u deklaruan në favor të Projektligjit. Në vijim, u shqyrtua dhe u miratua në parim nga ligjvënësit edhe Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme. Këtë Projektligj e prezantoi ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, të cilin e paraqiti ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Ai nënvizoi se Instituti i paraparë me këtë Projektligj, është i vetmi institucion në Kosovë që do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe moderne të administratës publike. Ministri po ashtu njoftoi se ky Projektligj do të shfuqizojë Urdhëresën Administrative të UNMIK-ut. Gjatë debatit rreth këtij Projektligji, u vunë re mospajtime në mes të grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës. Derisa përfaqësuesit e pozitës vlerësuan pozitivisht Projektligjin dhe kërkuan miratimin e tij, ndërkaq ndryshimet e nevojshme të bëhen gjatë fazës së amendamentimit, deputetët opozitarë kërkuan që ky Projektligj t'i kthehet Qeverisë. Pas shterimit të debatit lidhur me këtë Projektligj, kryesuesi i mbledhjes e hodhi në votim atë, me ç'rast rezultoi se shumica e deputetëve (48) ishin kundër, 44 për, ndërkaq abstenuan tre deputetë. Bazuar në rezultatet e votimit, ky Projektligj do t'i kthehet Qeverisë për ndryshim-plotësim. Në vijim, deputetët për herë të parë shqyrtuan edhe tri projektligje: Projektligjin për administrimin e punës në zyrë, Projektligjin për fondet pensionale të Kosovës dhe Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë. Për fushëveprimtarinë e këtyre projektligjeve folën, ministri Yagcilar dhe deputeti, Naser Osmani ( në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa). Deputetët me shumicë votash i miratuan ato.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Avokatin e Popullit. Në emër të komisionit, Raportin e paraqiti nënkryetarja, Rita Hajzeraj - Beqa. Ajo tha se Raporti është formuluar në baz të të gjeturave faktike në teren gjatë monitorimit të Ligjit. Në fund të fjalës së saj, ajo lexoi edhe rekomandimet për Qeverinë (tetë sosh), për të cilat ftoi deputetët që të miratojnë ato. Pas deklarimit nga ana e shefave të grupeve parlamentare, Kuvendi unanimisht miratoi Raportin me rekomandime.
Pas kësaj, sipas propozimit të Komisionit të posaçëm, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht u zgjodh komisioni Votues në përbërje të: Fadil Demaku (PDK), Afërdita Shaqiri (LDK), Albulena Haxhiu (VV), Bali Muharremi (AAK), Sevdie Lama (KKR), Milivoje Stojanoviq (SLS) dhe Albert Kinolli (6 +). Pas votimit të fshehtë që u bë, komisioni konstatoi se Veton Vula kishte arritur të sigurojë 45 vota, ndërkaq pretendenti tjetër për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban 14 vota. Komisioni shpalli të pavlefshme 31 fletëvotime. Pas komunikimit të këtij rezultati, komisioni po ashtu konstatoi se asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme ashtu siç është paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës, andaj konkursi për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese duhet të përsëritet.
Pas këtij rezultati për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, fjalën e mori shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Ai u shpreh se pozita sa herë që nuk ka të preferuarin e vetë në garë, ajo bën që të mos zgjidhet kandidati tjetër. Këtë ai ilustroi me faktin se numri i fletëvotimeve është i madh, duke aluduar se ajo ndodhë për shkak të preferencave partiake. Beqiri po ashtu njoftoi se gjatë procedimit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ( i paraparë që të zgjidhet në këtë mbledhje), nuk do të qëndrojnë në sallë. Këtë qëndrim me të njëjtat arsyetime e mbështetën edhe Grupi Parlamentar i VV-së dhe AAK-së.
Pas kësaj mbledhja ndërpreu punimet.