Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 30.01.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi Projeksionin e të hyrave dhe shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për vitin 2013.

Kryetarja Hadërgjonaj paraqiti shifrat për të hyrat e parapara nga RTK-ja për këtë vit, të cilat gjithsej kapin shumën prej 10 milionë e 261 mijë euro.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, ndërkaq, prezantoi projeksionin në tërësi, duke shtruar nevojën e procedimit më të shpejtë të tij, në mënyrë që RTK-ja të mund të kryejë obligimet buxhetore për muajin janar.

Anëtarë të komisionit theksuan nevojën e përgatitjes së projeksioneve më të detajizuara në të ardhmen dhe prezantimit të tyre para komisionit, në mënyrë që të jepet një pasqyrë e qartë e planifikimeve dhe shpenzimeve të parapara buxhetore.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, theksoi se në raportimet pasuese do të ketë të dhëna dhe hollësi, konform kërkesave të komisionit.
Pas shterimit të diskutimeve, komisioni përkrahu projeksionin dhe e procedoi në Kryesinë e Kuvendit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa