Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Marte, 29.01.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, shqyrtoi Raportin me rekomandime për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, hartuar nga Avokati i Popullit.
Këtë Raport, para komisionit e paraqiti zëvendës Avokati i Popullit, Basri Berisha, i cili tha se dispozitat ligjore të nenit 25 të Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, janë në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas tij, paragrafët tetë, nëntë dhe dhjetë që kanë të bëjë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, bien ndesh me nenin 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se:" Të gjithë janë të barabartë para ligjit". Rekomandimet e zëvendës, Avokatit të Popullit, Berisha, komisioni i përkrahu unanimisht.
Pas kësaj, komisioni miratoi edhe Planin e Punës për vitin 2013 si dhe Raportin e Punës së komisionit për vitin që shkoi. Po ashtu, kryetarja e komisionit njoftoi edhe me agjendën legjislative të Qeverisë së Kosovës, sipas së cilës është paraparë që Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, gjatë këtij viti të ketë në shqyrtim gjashtë projektligje.
Ndërkaq, për Draft-udhëzimin për shqyrtimin e peticioneve, komisioni do të marrë vendim në mbledhjen e radhës.