Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 28.01.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga nënkryetari i komisionit, Xhavit Haliti, raportoi sot ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Me këtë rast ajo paraqiti masat kyçe të cilat do të zbatohen nga ana e institucioneve me qëllim të nisjes dhe përfundimit të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Fillimisht ajo theksoi se Plani i Veprimit për MSA-në përbëhet nga 200 masa, nga të cilat 57 janë nën kapitullin e kritereve politike, 19 nën kapitullin e kritereve ekonomike, ndërsa 133 sosh nën aftësitë për të marrë sipër detyrimet që rezultojnë nga MSA-ja.
"Në sistemin gjyqësor të Kosovës gjatë viteve të fundit përkundër sfidave, është evidentuar progres. Është miratuar korniza reformuese ligjore, Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial duke arritur progres substancial në reformimin dhe strukturimin e një sistemi të ri gjyqësor të pavarur, efikas dhe të paanshëm konform legjislacionit,që përbën një reformë të madhe gjyqësore dhe prokuroriale", theksoi ministrja Çitaku, duke folur për fushën e sundimit të ligjit.
Më tej ajo tha se është evidentuar progres në drejtim të reduktimit të lëndëve të vjetra, duke shtuar se KGJK-ja ka miratuar Strategjinë Shtetërore për Reduktimin e Lëndëve të Vjetra, duke i trajtuar 55 për qind të 160 000 rasteve të evidentuara nga viti 2008, deri më sot.
Ministrja Çitaku tha se në aspektin institucional sfidë mbetet reformimi i sistemit gjyqësor dhe forcimi i kapaciteteve të stafit administrativ, duke shtuar më tej se esenciale mbetet qasja në drejtësi në pjesën veriore të Kosovës.
Tutje ajo shtoi se gjatë plotësim ndryshimit të pakos së ligjeve për reformën e gjyqësorit, të sigurohet që kompetencat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të mbesin të pa ndryshueshme.
Sa i përket çështjes së luftimit të korrupsionit , ajo tha se Qeveria ka krijuar kornizën e nevojshme të politikave dhe asaj ligjore kundër korrupsionit, si dhe ka themeluar institucionet kyçe me qëllim të zbatimit të legjislacionit dhe politikave kundër korrupsionit,duke shtuar se është miratuar korniza ligjore kundër korrupsionit. Në këtë vështrim ajo përmendi një sërë ligjesh të miratuara. Më tej ajo foli edhe për Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsion, për të cilin dokument është diskutuar në Mbledhjen e Kuvendit, më 24 janar me ç‘rast është vendosur që ky dokument të shqyrtohet sërish në komisionet parlamentar për të inkorporuar vërejtjet dhe propozimet që janë paraqitur gjatë debatit në mbledhjen e Kuvendit.
Sa i përket Administratës Publike, një shqetësim që u ngrit edhe nga anëtarët e komisionit, ministrja Çitaku tha se Administrata Publike nuk ka vuajtur nga mungesa e kornizës ligjore. Ajo shtoi se Administrata Publike vuan nga një shkallë e politizimit dhe kjo reflektohet me një shkallë të lartë të mungesës së profesionalizimit
"Në rast se ne dëshirojmë të reformojmë Administratën Publike, duhet të punojmë shumë më shumë, me theks të veçantë në mënyrën e përzgjedhjes e më pas vlerësimit të Shërbyesve Civil.
Për këtë qëllim kam rekomanduar që të gjithë zyrtarët e lartë të institucioneve të qeverisë t'i nënshtrohen një testimi. Ky testim do të menaxhohet tërësisht nga një institucion kredibil ndërkombëtar, përkatësisht ‘Sigma'. Financimi është siguruar nga Komisioni Evropian dhe të dhënat e këtij procesi të testimit do të jenë vendimtare në strukturimin e administratës publike", theksoi Çitaku.
Me këtë rast anëtarët e komisionit Alma Lama e Vjosa Osmani, kërkuan sqarime të shumta nga ministrja Çitaku rreth testimit të zyrtarëve të lartë të institucioneve të qeverisë, si dhe detaje për kompaninë ‘ Sigma", duke shpresuar se kjo do të eleminonte politizimin nëpër institucione, në rast se menaxhohet siç duhet, pa ndërhyrje nga pushteti aktual. Ato kërkuan që të mos keqpërdoret ky proces.
Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe u miratuan Planin e Punës së Komisionit për vitin 2013.