Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 28.01.2013




Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet dy herë gjatë kësaj jave. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit, në takimin e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.

Në seancën e 30 janarit (ditë e mërkurë) do të vazhdojë seanca e papërfunduar e javës së kaluar, për votimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dh të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Në seancën e së enjtes, ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do ta informojë Kuvendin lidhur me takimin e katërt me radhë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të zhvilluar në Bruksel.

Në vazhdim do të shqyrtohen 15 projektligje dhe disa raporte e rekomandime të komisioneve parlamentare. Do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për turizmin, Projektligji për transportin rrugor, Projektligji për investimet e huaja, Projektligji për produktet e ndërtimit, Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, Projektligji për inspektoratin e mjedisit, ujërave, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit, Projektligji për planifikimin hapësinor, Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, Projektligji për treguesit gjeografik, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, Projektligji për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Projektligji për administrimin e punës në zyrë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, si dhe Projektligji për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Avokatin e Popullit, Rekomandimi i Komisionit për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rekomandimi i Komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Po në mbledhjen e sotme të Kryesisë janë shqyrtuar edhe një varg kërkesash dhe rekomandimesh. Kryesia e ka lejuar procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarët e tyre, i propozuar nga Grupi parlamentar Vetëvendosjes!

Qeveria e Kosovës e ka dërguar mendimin e vet dhe Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor, prandaj Kryesia ka ngarkuar Komisionin funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Komisionin për Buxhet dhe Financa që ta shqyrtojnë Projektligjin bashkë me mendimin e Qeverisë dhe Kuvendit t'ia paraqes raportin me rekomandime, për shqyrtim të parë të Projektligjit.

Në vazhdim Kryesia është marrë me propozimin për formimin e grupeve të miqësisë, të përgatitur ( me kërkesë të Kryesisë) nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. Është mbështetur ideja që fillimisht të krijohen dhjetë grupe të miqësisë me vende të ndryshme të botës dhe për grupe shtetesh të rajoneve. Është vendosur që grupet parlamentare t'i propozojnë anëtarët e tyre për grupet e miqësisë, kurse pastaj Kryesia të emërojë kryetarin dhe nënkryetarin e secilit grup të miqësisë dhe një sekretar administrativë nga radha e zyrtarëve civil.

Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e deputetit Bekim Haxhiu, e mbështetur edhe nga 19 deputetë të tjerë, për debat parlamentar lidhur me gjendjen e sportit në Kosovë, i plotëson kushtet formale për procedim brenda tri javësh pune, nga dita e shqyrtimit në Kryesi.

Kryesia, ndërkaq, ka debatuar gjatë edhe për kërkesën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me mos përmbushjen e Vendimit të Kuvendit të Kosovës nga Radiotelevizioni i Kosovës. Anëtarët e Komisionit kërkojnë nga Bordi i RTK-së, që ta dërgojë në Kuvend Raportin lidhur me të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në bazë të Vendimit të Kuvendit-nr. 04-V-147 të dt. 29 korrik 2011. Në Kryesi janë shprehur edhe tone kritike për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, kurse shqetësimet e tyre për këtë çështje ia kanë përcjellë Komisionit funksional për media.

Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar se tash e tutje deputeti Berat Buzhala, emërohet anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, në vend të deputetit Shaip Muja.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit