Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Hënë, 28.01.2013




Zbardhja e fatit për persona të pagjetur, ishte temë diskutimi e mbledhjes së sotme në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, ata të Asociacionit të familjeve të të zhdukurve dhe përfaqësues të Zyrës së EULEX- it. Kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, pasi vuri në spikamë se fati i të pagjeturve është shqetësim për të gjitha institucionet në Kosovë dhe qytetarët e saj, u angazhua për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të komisionit dhe mekanizmave relevant për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Për angazhimet e deritashme të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, foli kryetari i këtij komisioni, Preng Gjetaj. "Me gjithë angazhimet tona dhe të komunitetit ndërkombëtar, numri i personave të pagjetur vazhdon të mbetet ende i madh", tha ai. Gjetaj tutje njoftoi se numri i këtyre personave është 1759, ndërkaq, për zbardhjen e fatit të tyre dhe vënien pikë kësaj çështje, ai vlerësoi se varet nga vullneti i institucioneve në Serbi dhe nga presioni permanent që duhet ushtruar mbi të faktori ndërkombëtar. Duke folur për angazhimet e planifikuara të këtij komisioni, Gjetaj vuri në dukje se në masën më të madhe janë hulumtuar lokacionet e dyshimta ku janë bërë gërmime vlerësuese. "Nga 36 lokacione të planifikuar për gërmime vlerësuese, 30 prej tyre janë hapur", tha Gjetaj. Ndër sfidat që e përcjellin këtë institucion, ai vuri në dukje se lokacionet e dyshimta në Mitrovicë të Veriut (katër sosh), nuk kanë mundur të hulumtohen për shkak të pengesave nga ana e banorëve të asaj ane. Sfidë e ngjashme, vijoi ai, paraqitet edhe në regjionin e Rashkës në Serbi ku autoritetet e atjeshme nuk kanë shprehur vullnetin për bashkëpunim.

Për mos zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, sfida të ngjashme paraqiti edhe Alan Robinson, përfaqësuesi i EULEX-it. Ai në vijim foli për përkushtimin nga ana e tyre që edhe në pjesën veriore të Mitrovicës të hulumtohen lokacionet e dyshimta.

Duke shprehur pakënaqësi për përkrahje të pamjaftueshme të Qeverisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, përfaqësuesi i Asociacionit të familjeve të të zhdukurve, Bajram Qerkini, u angazhua që kërkesat e tyre të prezantohen edhe në Kuvend. Ai në vijim njoftoi edhe për takimet që ky Asociacion ka pasur me kryeministrin e vendit, me ç'rast i është kërkuar atij që fati i të pagjeturve të shtrohet edhe në bisedimet me Serbinë. Po ashtu, Qerkini pati vërejtje edhe rreth Ligjit për persona të pagjetur i cili sipas tij nuk i plotëson kërkesat e kësaj kategorie, përkatësisht familjarëve të të zhdukurve.

Duke iu referuar kësaj çështjeje, drejtori i Zyrës Ligjore, Arsim Gërgjaliu, ndërkaq, vuri në dukje vështirësitë që e përcjellin këtë institucion. Duke folur për vështirësitë që ata hasin në punën e përditshme, Gërgjaliu vuri në dukje faktin se aktorët e krimit me tendencën për ta fshehur atë, jo rrallë rastis që mbetjet mortore të një personi të zhdukur të jenë bartur, e më vonë të gjenden në tri e më shumë lokacione ( Batajnicë, Krushë, Gjakovë). Ndër sfidat që Gërgjaliu përmendi ishte edhe bashkëpunimi jo i mjaftueshëm i familjarëve të zhdukur me organet kompetente.

Në fund të debatit, anëtarët e komisionit u zotuan për mbështetje të pa rezervë për të gjitha institucionet dhe mekanizmat relevantë për zbardhjen sa më të shpejtë të personave të zhdukur.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...