Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm pakistanez, Malik Amad Khan

E Hënë, 28.01.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ministrin Shtetëror të Punëve të Jashtme të Pakistanit, Malik Amad Khan, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryetari Krasniqi i shprehu ministrit pakistanez falënderimet për njohjen e shtetit të Kosovës nga Pakistani dhe për të gjithë mbështetjen që ky vend mik i ka dhënë Kosovës edhe përpara njohjes, veçanërisht gjatë viteve 2001-2002 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kryetari i Kuvendit çmoi, gjithashtu, ndihmën pakistaneze nëpërmjet prezencës ndërkombëtare në Kosovë, gjatë fazës së administrimit nga ana e misionit të OKB-së.

"Jemi duke u përpjekur që të krijojmë sa më shumë miq dhe në këtë frymë, Pakistanin e konsiderojmë vend mik", tha kryetari i Kuvendit.

Njohjen nga Pakistani dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, kryeparlamentari Krasniqi i konsideroi të një rëndësie të veçantë, ndërsa shprehu interesimin dhe gatishmërinë për të zgjeruar marrëdhëniet edhe ndërmjet parlamenteve respektive dhe në fusha të tjera.

Ministri pakistanez Khan, nga ana e tij, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe mori përsipër angazhimin për të ndihmuar në vendosjen e marrëdhënieve ndërparlamentare.

Duke konfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën, ministri Khan tha se njohja e saj është mirëpritur nga institucionet dhe populli pakistanez.

Ai tha se Kosova si shtet i ri, ka sfidat e saj por ka edhe përparësitë, sepse mund të mësojë nga gabimet e të tjerëve.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti ministrin e jashtëm pakistanez, Malik Amad Khan