Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 28.01.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah raporti me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, si dhe raporti me amendamente i komisionit funksional në Projektligjin nr. 04-L-160 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Tutje, komisioni u njoftua me shkresën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03-L-196 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, me theks të veçantë që ka të bëjë me përshtatshmërinë e acqui communautaire, si dhe për kompetencën e Prokurorisë Speciale. Anëtarët e komisionit u dakorduan që pas shqyrtimit të këtij projektligji nga komisioni funksional të merret në konsideratë kjo çështje edhe nga Komisioni për Legjislacion.
Anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017, pas vendimit në mbledhjen e Kuvendit, më 24 janar që ky dokument të shqyrtohet sërish në komisionin parlamentar për të inkorporuar vërejtjet dhe propozimet që u paraqitën gjatë debatit në mbledhjen e Kuvendit. Vendimi përfundimtar i komisionit për këtë çështje do të merret pas vendimit të Kuvendit.