Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme priti një grup studentësh nga Holanda
E Premte, 25.01.2013
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, ka pritur sot në takim një grup studentësh të Shkencave Politike të Universitetit Leiden të Holandës.
Deputetët: Albin Kurti, Sabri Hamiti, Hydajet Hyseni dhe Enis Kervan, i njoftuan studentët holandezë me zhvillimet aktuale në Kosovë, punën e Kuvendit, mënyrën e funksionimit, përfaqësimin politik dhe etnik etj.
Kryetari Kurti foli për objektivat e komisionit që ai udhëheq, për procesin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, por edhe për sfidat dhe problemet me të cilat po përballet Kosova aktualisht, si: veriu i vendit, zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të punës etj.
Ai tha se komisioni është i interesuar të zhvillojë marrëdhënie dypalëshe me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe t'i materializojë këto njohje.
Nënkryetari i Kuvendit dhe anëtar i këtij komisioni, Sabri Hamiti, bëri një përshkrim të së kaluarës së popullit shqiptar në Ballkan dhe pasqyroi përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Ai shkoqiti detaje nga zhvillime të rëndësishme historike përgjatë shekullit të kaluar, duke u ndalur edhe në aspekte të rëndësishme kulturore të shqiptarëve.
Deputeti Hydajet Hyseni, bëri, gjithashtu, një ekspoze të të kaluarës dhe situatës aktuale në vend, duke potencuar dhunën dhe gjenocidin që Serbia ka ushtruar mbi popullatën e Kosovës, në përpjekjet e saj për spastrim etnik. Ai foli edhe për pamundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës nëpër vendet e BE-së, si pasojë e mosliberalizimit të vizave.
Anëtari tjetër i këtij komisioni dhe nënkryetar i Kuvendit, Enis Kervan, u fokusua në përfaqësimin e komuniteteve pakicë në jetën politike dhe institucionale në Kosovë. Ai tha se çdo komunitet pakicë e ka gjetur veten në Kosovë dhe është akomoduar në institucionet e saj.
Studentët , nga ana e tyre, shfaqën interesime të shumta për zhvillimet në Kosovë. Ata shtruan një varg pyetjesh që lidheshin me njohjet e pavarësisë së Kosovës, dallimet e brendshme politike, përfaqësimin e pakicave në Kuvend, idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë etj., për të cilat anëtarët e komisionit dhanë informacionet e nevojshme.