Lajmet e fundit
Nuk mbahet vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 25.01.2013
Vazhdimi i mbledhjes së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë e mbledhjes u udhëhoq nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), filloi me diskutimin lidhur me ecurinë e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Procesi i votimit të djeshëm për këta anëtarë në mungesë kuorumi ishte ndërprerë.
Në vazhdimin e sotëm të seancës, fillimisht, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për mbledhjen e radhës së Kuvendit, duke vlerësuar se është e domosdoshme që votimi për këta anëtarët të përsëritet në tërësi, ndërkaq, grupet tjera parlamentare (LDK, Vetëvendosje dhe AAK) kërkuan që një pjesë e listës së votimeve të përfunduara dje të shpallen valide dhe të vazhdohet me votimet tjera të radhës.
Pasi u hodh në votim kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së për shtyrje të seancës, ajo nuk mori mbështetjen e deputetëve.
Deputetët e Kuvendit, pas një pauze që patën, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së, në mungesë kuorumi nuk vazhduan mbledhjen e Kuvendit.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, tha se për ditën e mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit do të vendosë Kryesia e Kuvendit, ndërkaq sa i përket dilemave që u paraqitën sot nga deputetët e Kuvendit rreth procedurës së votimit në mbledhjen e djeshme plenare për anëtarët e Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, kreu i Kuvendit tha se ai votim ka qenë i rregullt.