Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të zyrtarëve të lartë të USAID-it

E Premte, 25.01.2013




Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me një delegacion zyrtarësh të lartë të USAID-it, nga Washingtoni, z.Keith Schultz dhe z.Mike Henning, gjatë të cilit i diskutua lidhur me të arriturat e deritashme në lëmin e bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe Kuvendit, si dhe për nevojat prioritare që ka Kuvendi,në të cilat do të mund të kontribuojë edhe në të ardhmen kjo agjenci prestigjioze. Kryekuvendari Krasniqi, pasi falënderoi delegacionin për këtë vizitë, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e deritashëm, duke theksuar se ndërmjet Kuvendit dhe USAID-it që nga viti 2001 është zhvilluar një bashkëpunim i ngjeshur, nga i cili Kuvendi i Kosovës ka përfituar në shumë aspekte, sidomos në fushën e legjislacionit, ngritjen e kapaciteteve të administratës,pastaj në lëmin e transparencës etj.

Zyrtarët e USAID-it vlerësuan lart bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve,duke theksuar se në shumë fusha janë arritur rezultate të mëdha. Ndër të arriturat ata përmendën edhe rezultatet në krijimin e lidhjeve të afërta të Kuvendit me shoqërinë civile, funksionimin e uebfaqes së Kuvendit, hapjen e Qendrës së Vizitorëve etj.

Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se është e nevojshme të bëhet më shumë sidomos kur është fjala për mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit,pastaj të zbatimit të ligjeve, të agjencive që formon Kuvendi etj. Në këtë frymë u tha se një detyrë me rëndësi në kuadrin e mbikëqyrjes është veçanërisht çështja e mënyrës së shpenzimit të buxhetit, përkatësisht secili komision t' i kushtojë kujdes këtij segmenti në fushat përkatëse që ka në fushëveprimin e vet.

Me këtë rast u theksua se ekzistojnë kushte të favorshme që bashkëpunimi ndërmjet USAID-it dhe Kuvendit të thellohet edhe më.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të zyrtarëve  të lartë të USAID-it