Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës
E Enjte, 24.01.2013
Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Xhavit Haliti), pas shterimit të pikave të përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin për transplantimin e organeve.
Gjatë arsyetimit të këtij projektligji, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, theksoi se Projektligji për transplantimin e organeve rregullon dhe përcakton qartë shërbimet themelore të përfshira në veprimtarinë e transplantimit të organeve, llojet e transplantimeve, kriteret dhe standardet që transplantimi të kryhet në pajtim të plotë me standardet më të avancuara mjekësore. Më tej ministri Agani tha se ky projektligj rregullon në mënyrë të detajizuar dhe përcakton se kush ka të drejtë të jetë donator, si dhe mënyrat e procedimit të këtyre veprimtarive. Po ashtu, ky ligj rregullon aktivitetet lidhur me organizimin, menaxhimin dhe mënyrën e proceseve të transplantimit. "Me ligj përcaktohet krijimi i regjistrave zyrtar për transplantim, përcaktohet në mënyrë të qartë procedura për marrjen, ruajtjen, deponimin dhe distribuimin e organeve. Rëndësi të veçantë projektligji i kushton monitorimit dhe inspektimit, llojeve dhe kualifikimeve të inspektorëve që do të jenë të angazhuar në inspektimin në shërbimin për transplantimin e organeve, si dhe janë të përcaktuara qartë edhe sanksionet administrative dhe sanksionet penale në rast të shkeljes së dispozitave ligjore të këtij ligji. ", tha mes tjerash ministri Agani.
Deputetët gjatë diskutimit të tyre paraqitën disa vërejtje dhe propozime për këtë projektligj, ndërkaq, me shumicë votash ai u miratua në parim.
Më tej deputetët shqyrtuan dhe përkrahën edhe propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës, për emërtimin e Universitetit të Prishtinës - Hasan Prishtina.
Tutje u shqyrtua edhe Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017. Pasi nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, paraqiti raportin me rekomandime të këtij komisioni, ai foli edhe në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së duke vlerësuar se duhet të shtohet mbikëqyrja në zbatimin e kësaj strategjie dhe se ky dokument pasqyron kërkesat, nevojat dhe gjendjen e rëndë në vend në raport me korrupsionin.
Deputeti Arben Gashi, duke folur në emër të grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kanë vërejtje në strukturën e dokumentit, i cili sipas tij nuk parasheh se si do të organizohen dhe funksionojnë institucionet e vendit në luftën kundër korrupsionit. Gashi duke theksuar se LDK-ja nuk e përkrah Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017 kërkoi nga Qeveria që ta tërheqë këtë dokument, meqë sipas tij, dokumenti duhet të jetë i hartuar nga institucionet relevante që merren me luftën kundër korrupsionit
Edhe deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes drejtoi kritika të shumta rreth Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017. Ajo theksoi mes tjerash se Agjensioni Kundër Korrupsionit gjatë përpilimit të kësaj strategjie nuk ka bërë hulumtim apo studim të raporteve që tregojnë shkallën e nivelit të korrupsionit në Kosovë. Ajo tha se kjo strategji është hartuar pa një qasje gjithëpërfshirëse dhe është hartuar nga një grup i ngushtë njerëzisht, përfaqësues të qeverisë, që sipas saj qeveria nuk është e interesuar të luftojë korrupsionin.
Deputetja Haxhiu duke sqaruar se Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë strategji tha se AKK-ja është dashur të bëjë presion ndaj qeverisë që të bëjë pakon ligjore anti-korrupsion, duke shtuar se korrupsioni ka lëshuar rrënjë nga niveli qendror dhe ai lokal.
Edhe deputeti Burim Ramadani duke folur në emër të grupit Parlamentar të AAK-së, bëri një sërë vërejtjesh në këtë strategji, duke theksuar se nga AKK-ja dhe qeveria është dashur të bashkëngjitet një shtojcë në detaje se cili institucion nuk e ka zbatuar strategjinë gjatë vitit të kaluar dhe se cilat kanë qenë ndëshkimet për këto institucione të cilat nuk i kanë përmbushur veprimet e veta në luftën kundër korrupsionit.
Ndërkaq, deputeti Gëzim Kelmendi duke folur në emër të Grupit Parlamentar të KKR-së tha se Agjensia Kundër Korrupsion ka gatishmëri dhe vullnet për të luftuar korrupsionin, por nuk ka kapacitete të luftojë këtë dukuri. Ai kërkoi mobilizim gjithëpërfshirës nga të gjitha institucionet në mënyrë që kjo dukuri nëse nuk mund të zhduket, së paku të zvogëlohet, theksoi Kelmendi.
Gjatë diskutimit të deputetëve lidhur me Strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017, foli edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Me këtë rast ai tha se bazuar nga ligji dhe nga praktika e deritashme, Agjensia Kundër Korrupsion më tepër ka një rol mediatik se sa një rol ekzekutiv.
Kryekuvendari Krasniqi tha se duhet të kërkohet një dokument sa më përmbajtësor dhe sa më i zbatueshëm, duke theksuar se mos lufta ndaj korrupsionit është e shtrirë në të gjitha nivelet e pushtetit, prej nivelit më të lartë deri tek niveli më i ulët.
Duke përmendur Prokurorinë, gjykatat dhe policinë të cilat janë përgjegjëse për ta luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kontrabandën, ai shtoi se sado e mirë të jetë kjo strategji është shumë e vështirë për t'u luftuar kjo dukuri.
Debati në të ardhmen duhet të zhvillohet në drejtim të funksionalizimit të institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për ta luftuar korrupsionin si fenomen tepër i dëmshëm për shoqërinë tonë, theksoi Krasniqi, duke përfunduar se kjo strategji nuk është një dokument për ta luftuar korrupsionin.
Deputetët e Kuvendit gjatë diskutimit theksuan se Agjensia Kundër Korrupsion dhe institucionet tjera relevante duhet të sjellin rezultate konkrete përmes denoncimit të aferave për korrupsion, ndërkaq, kritikuan mospjesëmarrjen e anëtarëve të qeverisë gjatë shqyrtimit të kësaj strategjie.
Tutje disa nga deputetët kërkuan angazhim më konkret për luftimin e kësaj dukurie nga Prokuroria, Gjykatat dhe Policia e Kosovës.
Deputetët u dakorduan që komisionet parlamentare të inkorporojnë sërish vërejtjet dhe propozimet që u paraqitën gjatë këtij debati, në mënyrë që pas plotësimit të këtij dokumenti të paraqitet për miratim në seancën e radhës.
Tutje, deputetët me votim të fshehtë filluan votimin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media dhe të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, por në mungesë kuorumi mbledhja e Kuvendit u ndërpre për të vazhduar punimet gjatë ditës së nesërme, duke filluar nga ora 10:00.