Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti kryesuesin e EULEX-it, z. Xavier De Marnhac

E Enjte, 24.01.2013




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim kurtuazie, z. Xavier De Marnhac, kryesues i Misionit të EULEX-it në Kosovë, në përfundim të mandatit të tij . Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi i shprehu mirënjohje z. De Marnhac për kontributin e tij në krye të këtij misioni , por edhe më parë si komandant i KFOR-it. Kreu i legjislativit të vendit, njëkohësisht shprehu mirënjohje edhe ndaj shtetit të Francës për gjithë atë që ka bërë e bën për të mirën e Kosovës. Në vijim ai i bëri një vështrim të gjerë angazhimit të Kuvendit të Kosovës në aprovimin e ligjeve, si dhe të punës që bëhet për zbatimin e tyre, duke u ndalur posaçërisht në bashkëveprimin e frytshëm të Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve euroatlantike në procesin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë frymë, kryekuvendari Krasniqi tha se rruga e Kosovës drejt integrimeve atlantike nuk ka alternativë.

Z. Xavier De Marnhac, pasi falënderoi për pritjen që iu bë, theksoi se ka qenë i angazhuar me përkushtim të madh në këtë mision, duke pasur gjithnjë para sysh që funksioni dhe puna e EULEX-it të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ai tha se me gjithë vështirësitë, gjatë këtyre viteve është bërë punë e frytshme në Kosovë. Duke folur për rezultatet që i ka shënuar Kosova , ai vlerësoi sidomos përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë frymë ai uroi kryekuvendarin dhe shtetin e Kosovës për të arritura të mëtejme në të gjitha aspektet.

Në fund të takimit, kryetari i Kuvendit Krasniqi, në shenjë kujtimi, i dhuroi një dhuratë modeste, z. De Marnhac.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti kryesuesin e  EULEX-it, z. Xavier De Marnhac