Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 23.01.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi tri projektligje dhe një propozim.

Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë, e prezantoi n zv/ministri i Financave, Ramadan Avdiu. Ai potencoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji dhe shpalosi aspekte përmbajtësore të tij. Avdiu tha se ky projektligj mëton ta rregullojë ambientin bisnesor, si dhe t'i stimulojë e ndihmojë prodhuesit e vegjël.

Pas diskutimeve, projektligji u përkrah nga ana e komisionit.

Komisioni përkrahu në parim, gjithashtu, edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i cili ka hyrë në procedurë të amendamentimit me iniciativën e vet komisionit.

Anëtarët e komisionit i dhanë përkrahje edhe Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil, me amendamente të komisionit funksional, pas vlerësimit se ato nuk përmbajnë implikime shtesë buxhetore.

Në mbledhje u diskutua edhe lidhur me propozimin e panelit vlerësues të Bankës Qendrore të Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së. Komisioni vlerësoi se të tre kandidatët e përzgjedhur nga paneli i plotësojnë kushtet në bazë të ligjit dhe propozimin e procedoi për votim në seancë plenare.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa