Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 23.01.2013
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetari Fikrim Damka, ka diskutuar për Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, si dhe ka dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve të Odës së Veterinarëve të Kosovës.
Kryetari i kësaj ode, Xhevdet Krasniqi, shpalosi para komisionit kërkesën e anëtarësisë së saj, e cila kishte të bënte me futjen e Odës së Veterinarëve të Kosovës në Projektligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë.
Kryetari i komisionit, Damka, theksoi se komisioni do të bëjë konsultimet e nevojshme dhe në bazë të vlerësimeve do të ndërmarrë veprimet e duhura gjatë fazës së amendamentimit të projektligjit.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për qasjen që duhet ta ketë komisioni gjatë amendamentimit të Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe u dakordua që lidhur me kërkesat e përfaqësuesve të pensionistëve të zhvillohen konsultime edhe me sponsoruesin e projektligjit.