Lajmet e fundit
Deputetët e Kosovës marrin pjesë në punimet e Këshillit të Evropës
E Mërkure, 23.01.2013
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni (PDK) dhe Vjosa Osmani (LDK) morën pjesë në takimin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku u diskutua për Rezolutën dhe Raportin e përgatitur nga raportuesi për Kosovën, Bjorn Von Sydow. Në këtë takim, deputetët paraqitën pikëpamjet e institucioneve të Kosovës lidhur me tekstin e kësaj Rezulote dhe paraqitën një sërë vërejtjesh dhe rekomandimesh. Në këtë frymë u mirëprit propozimi që të intensifikohen kontaktet e drejtpërdrejta në mes të institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Evropës. Deputetët potencuan se mohimi i të drejtës për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut i qytetarëve të Kosovës është mohim i të drejtave e lirive themelore të njeriut. Ata poashtu shtuan se njohja e Kosovës nga më shumë se 2/3 e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës është një realitet i pakthyeshëm dhe anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është vetëm cështje kohe.
Shqyrtimi në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci i parapriu diskutimit dhe miratimit të Rezolutës për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Rezoluta u miratua me 115 vota pro dhe 11 vota kundër, ndërkaq Rekomandimet u miratuan me 121 vota pro dhe 5 vota kundër.
Gjatë qëndrimit në Strasburg deputetët e Kuvendit të Kosovës u takuan edhe me deputetë të shumtë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.