Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 22.01.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, u shqyrtua dhe u përkrah Raporti Vjetor i Punës së Komisionit për Integrime Evropiane, për vitin 2012, për procedim të mëtejmë.
U theksua se në këtë raport janë të përmbledhura tri raportet e vitit të kaluar dhe se është raporti i fundit i Komisionit për Integrime Evropiane për procesin e integrimeve evropiane, meqë gjatë këtij viti raporti do të jetë i përbashkët për të gjitha institucionet dhe se për këtë çështje do të raportojë qeveria.
Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën për procedim të mëtejmë edhe këto projektligje me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së: Projektligji nr. 04/L-160 për Agjencinë e Regjistrimit Civil, Projektligji nr. 04/L-138 për Arsimin dhe aftësimin profesional, Projektligji nr. 04/L-159 për Zonat Ekonomike, si dhe Projektligji nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.