Lajmet e fundit

Nënkryetari Haliti priti një grup studentësh nga Vjena dhe Venediku

E Premte, 18.01.2013




Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, priti sot një grup studentësh nga Vjena dhe Venediku, të cilët i njoftoi për punën e Kuvendit, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të tij.

Fillimisht, nënkryetari Haliti dha një historik të shkurtër të problemit të Kosovës dhe zgjidhjes së tij. Ai tha se tani Kosova po përpiqet të jetë pjesë e integruar e Evropës, me gjithë problemet dhe vështirësitë me të cilat ajo po ballafaqohet, si çdo vend tjetër i dalë nga lufta. Haliti u ndal edhe te problemet në veri të shtetit, për zgjidhjen e të cilave tha se po bisedohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

"Besoj që të gjitha problemet do të zgjidhen ashtu siç do të duhej të zgjidheshin në Evropë", theksoi Haliti.

Në vazhdim, ai i njoftoi studentët me përbërjen e Kuvendit të Kosovës, mënyrën e funksionimit, raportet pozitë-opozitë, bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe punën e gjithmbarshme të tij, konform funksioneve kushtetuese. Haliti potencoi gjithashtu, edhe bashkëpunimin që Kuvendi kultivon me mediat, shoqërinë civile dhe me qytetarët në përgjithësi.

Studentët, nga ana e tyre, duke e falënderuar nënkryetarin Haliti për pritjen, shfaqën interesim për çështje të ndryshme që lidheshin me punën e Kuvendit dhe përfaqësimin e qytetarëve, me theks të veçantë, të komuniteteve pakicë.

 

Nënkryetari Haliti priti një grup studentësh nga Vjena dhe Venediku