Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Enjte, 17.01.2013
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, u shqyrtua Raporti i performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2011.
Ndonëse Raporti i ishte ofruar me shkrim anëtarëve të komisionit, përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Sejdiu, gjatë mbledhjes ofroi sqarime të hollësishme për të arriturat dhe ngecjet e ndërmarrjeve publike. Ai fillimisht njoftoi se shkas i vonesës së raportit për ndërmarrjet publike është vonesa e raportit të Zyrës së Rregullatorit, Zyrës së Auditorit të Jashtëm dhe Raportit nga të dhënat e ndërmarrjeve publike, mbi bazën e të cilave është formuluar Raporti përfundimtar mbi ndërmarrjet publike. Ky Raport, tha në vijim, Sejdiu, është fokusuar në: performancën operative sipas sektorëve të ndërmarrjeve publike qendrore, performancën financiare të sektorëve në ndërmarrjet publike qendrore, në funksionimin e qeverisjes korporative dhe në vizionin, misionin, objektivat dhe projektet e ndërmarrjeve publike. Marrë në përgjithësi, shtoi ai, performanca e të gjitha ndërmarrjeve publike (16 sosh), rezulton të jetë pozitive, por, për shkak të mos inkasimit të borxheve nga ana e qytetarëve, disa nga kompanitë kanë rezultuar me performancë negative financiare. Me këtë rast ai përmendi kompanitë rajonale të ujësjellësve dhe kompanitë regjionale të mbeturinave. Gjatë debatit lidhur me Raportin, anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh, për të cilat morën sqarimet e duhura nga përfaqësuesi i Ministrisë. Pas kësaj, Raporti u hodh në votim ku gjeti mbështetje për procedim të mëtutjeshëm në mbledhje plenare të Kuvendit.