Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 16.01.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të parën për këtë sesion, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi katër projektligje dhe raportin vjetor të punës së tij.

Komisioni shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, të cilin e prezantoi zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu. Duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë, Avdiu tha se iniciativa për plotësim-ndryshimin e këtij projektligji ka ardhur pas analizimit të gjendjes së tanishme, bazuar në dokumentet e Komisionit Evropian, konkretisht, Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe Raportit të Fizibilitetit për Kosovën, si dhe pas konsultimeve me të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë. Këto plotësim-ndryshime, sipas zëvendësministrit të Financave, do ta avancojnë bazën ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Anëtarë të komisionit, ndërkaq, shprehën mëdyshjet e tyre lidhur me një nen të projektligjit dhe konsideruan se projektligji duhet të jetë në harmoni me pjesën tjetër të infrastrukturës ligjore që rregullon këtë lëmë.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu projektligjin dhe e procedoi për miratim në parim në seancë plenare.

Në vazhdim të mbledhjes, u përkrah edhe Projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, me amendamente të grupit punues të komisionit, si dhe Projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional e ai për zonat ekonomike, me raportet me amendamente të komisioneve funksionale.

Komisioni miratoi, gjithashtu, edhe raportin vjetor të punës së tij për vitin 2012.

Gjatë mbledhjes, kryetarja Safete Hadërgjonaj, falënderoi ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza, për bashkëpunimin me komisionin gjatë mandatit të tij në krye të këtij dikasteri qeveritar.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa