Lajmet e fundit

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme

E Mërkure, 16.01.2013




Komisioni për Punë të Jashtme ka mbajtur sot mbledhjen e tij të parë për vitin 2013, në të cilën është shqyrtuar dhe më pas edhe është miratuar Raporti vjetor i punës së Komisionit për vitin 2012. Raporti përmban aktivitetet kryesore të Komisionit përfshirë mbledhjet (23), temat themelore të trajtuara, shqyrtimin e projektligjeve, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, takimet me komisionet homologe dhe delegacione të huaja si dhe vizitat e anëtarëve të Komisionit jashtë vendit.

Komisioni ka mbajtur dëgjimin e kandidatëve të propozuar për ambasadorë, ka organizuar takime raportuese të qeveritarëve para Komisionit si dhe ka hartuar dhjetëra raporte e rekomandime, sipas kompetencës për komisionet parlamentare dhe Kuvendin.

Duke pasur parasysh aktivitetet e zhvilluara gjatë këtij viti, Komisioni ka arritur në masë të madhe të përmbushë objektivat e paraparë në Planin dhe programin e punës së tij, është thënë në takim.

Anëtarët e Komisionit kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre, sa i përket përgjigjes së ministrave dhe zv.kryeministrave për të raportuar lidhur me punën e dikastereve që i drejtojnë. Në këtë mes ata kanë veçuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ministrin Hoxhaj, i cili, siç është theksuar, vazhdon ta shpërfill Komisionin. Ata kanë shfaqur brengën e tyre për gjendjen e MPJ-së dhe të Shërbimit Diplomatik të Kosovës, duke vënë në pah me këtë rast jo vetëm mospërmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit, në përfundim të interpelancës së ministri Hoxha para Kuvendit (më 11 tetor 2012), por edhe përkeqësimin e gjendjes për shkak të punësimit politik të individëve në këtë ministri, pa përfillur institucionin e konkursit dhe profesionalizmin e kërkuar të kandidatëve.

Në takimin sotëm është biseduar edhe për Planin dhe Programin e punës së Komisionit për vitin 2013, i cili ka mbetur të plotësohet dhe të miratohet në mbledhjen e radhës. Ndër aktivitetet është veçuar Konferenca Rajonale, në temën: "Bashkëpunimi rajonal, integrimi evropian dhe roli i diplomacisë parlamentare", e cila planifikohet të mbahet në Prishtinë, më 11 mars të këtij viti.

Në takimin e sotëm është vendosur që edhe një herë të ftohet ministri i Jashtëm për të raportuar për gjendjen në MPJ dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e buxhetit të dedikuar, para se Komisioni ta thërrasë në interpelancë ministrin Hoxhaj.

 

Mbledhje e Komisionit për Punë të Jashtme