Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Mërkure, 16.01.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua raporti i punës së Komisionit për vitin 2012. Me këtë rast anëtarët e komisionit duke vlerësuar punën dhe angazhimet e tyre në këtë komision, theksuan se përgjatë vitit 2013 duhet të ketë më shumë nisma legjislative. Më tej u sqarua se gjatë vitit 2012 Komisioni për Legjislacion ka mbajtur gjithsej 65 mbledhje si dhe 5 dëgjime publike.
Anëtarët e komisionit përkrahën Raportin e punës së Komisionit për vitin 2012, me ç‘rast kërkuan që këtij raporti t'i bashkangjitet edhe raporti i punës së nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës.
Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës. Me këtë rast ata adresuan shqetësime të shumta për këtë projektligj, duke theksuar se ka elemente të shkeljes së Kushtetutës së Kosovës, në bazë të cilit ligj kontroll i plotë i jepet përfaqësuesit special të BE-së, duke përmendur më tej Ligjin për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Me theks të veçantë u shfaqën kritika pikërisht për nenet 6, 7, 9, 11 dhe 16.
Disa nga anëtarët e komisionit propozuan që Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës, të procedohet në seancë plenare, me rekomandimin që ky ligj t'i kthehet qeverisë për rishqyrtim.
Megjithatë, anëtarët e komisionit duke theksuar se shqyrtimi i këtij projektligji do të behët në mbledhjen tjetër të radhës vendosën që të formojnë një grup konsultativ për të zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Kryeministrisë për të sqaruar arsyetimin dhe qëllimin e këtij projektligji.
Komisioni u njoftua edhe me programin legjislativ për vitin 2013.