Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 15.01.2013




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua dhe u përkrah Raporti i Punës së Komisionit, për vitin 2012, si dhe u përkrahën propozim-amendamentet për Projektligjin nr. 04/L-160 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim Projektligjin nr. 04/ L-173 për Përgjimin e Telekomunikimeve.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit rreth këtij projektligji, nëse duhet t'i kthehet qeverisë ose të procedohet më tej, u formua grupi i punës i përbërë nga këta anëtarë: Ahmet Isufi, Anton Çuni, Rexhep Selimi dhe Fatmir Xhelili.

Anëtarët e komisionit po ashtu formuan grupin punues edhe për shqyrtimin e Projektligjit nr. 04 / L-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Tutje, anëtarët e komisionit vendosën që në mbledhjen e radhës të caktohet grupi i punës që ka të bëjë me kërkesën e komisionit drejtuar MPB-së, lidhur me gradimin e eprorëve apo zyrtarëve të lartë në Policinë e Kosovës, që t'iu mundësohet atyre qasja në dokumentacion dhe kontakti me zyrtarët, të cilët e kanë përbërë komisionin përzgjedhës të kandidatëve.

U theksua po ashtu se në mbledhjen e radhës do të diskutohet edhe propozimi i anëtarëve të komisionit që ka të bëjë me procesin e verifikimit të sigurisë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, për të kërkuar informatë nga Drejtori i Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij takimi, anëtari i komisionit, Goran Marinkoviq, ngriti shqetësimin e tij lidhur me arrestimin e disa serbëve në Graçanicë, në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.

U tha se lidhur me këtë çështje komisioni parlamentar për siguri do të kërkojë informata nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërkaq, në mbledhjen e radhës po ashtu do të shqyrtohet edhe kërkesa e anëtarëve të komisionit lidhur me raportimin e ministrit të MPB-së, Bajram Rexhepi.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së