Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi përgëzon kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, z. John Boehner
E Hënë, 07.01.2013
Me rastin e zgjedhjes së z. John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram urimi, z. Boehner, me këtë përmbajtje:"
I nderuar Zoti Kryetar,
Në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t'ju shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta me rastin e rizgjedhjes Tuaj, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara Amerikës, duke ju dëshiruar sukses në përmbushjen e përgjegjësive të mëdha në krye të këtij institucioni të lartë.
Shfrytëzoj këtë rast t'ju shpreh kënaqësinë time për bashkëpunimin midis Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (House Democracy Partnership - HDP), si një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Dëshiroj t'ju siguroj për vullnetin dhe vendosmërinë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.
Duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dua ta mbyll këtë letër me ftesën miqësore për ju, që gjatë mandatit tuaj të ri të gjeni kohë për ta vizituar Kosovën.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë", theksohet në telegramin e urimit të kryekuvendarit Krasniqi.