Lajmet e fundit

Urimi kryeparlamentarit Krasniqi për Vitin e Ri

E Hënë, 31.12.2012




Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kam nderin dhe kënaqësinë t'iu drejtohem ju, të gjithë qytetarëve kudo që ndodheni, pa dallim përkatësie etnike, besimi a partie, gjinie a moshe.

Kanë mbetur edhe pak orë të vitit jubilar 2012, i cili na krijoi emocione, na nxiti t'i kujtojmë dhe t'i bëjmë bilancet e 100 vjetëve të fundit.

Në këto çaste gëzimi e hareje nuk kemi sesi të mos kujtojmë flijimin dhe sakrificën mbinjerëzore të popullit tonë për liri, kulmuar me luftën e fundit çlirimtare dhe komandantin legjendar Adem Jashari, interesi i vetëm i të cilëve ishte Kosova e Lirë e Pavarur dhe Demokratike


Qytetarë të dashur,


Ne, sot po e mbyllim një vit përpjekjeje e zhvillimi aq sa lejuan rrethanat dhe po hyjmë në Vitin e Ri me objektiva të reja, duke pasur parasysh potencialet e shumta njerëzore e natyrore, ndaj besoj thellësisht që 2013-ta do të sjellë më shumë rritje ekonomike, më shumë vende pune dhe më shumë mirëqenie e lumturi në familjet tona.


Me mbështetjen tuaj qytetarë të nderuar, institucionet tona do ta kenë forcën e duhur për të shtrirë sundimin e rendit e të ligjit në çdo cep të Republikës sonë, për të ecur më shpejt dhe më sigurt drejt integrimeve Euroatlantike.


Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,


Në emër të institucionit që përfaqësoj dhe në emrin tim personal Ju dëshiroj urimet më të mira, më të përzemërta e më të sinqerta për Vitin e Ri 2013!


Gëzuar!

Urimi kryeparlamentarit Krasniqi për Vitin e Ri