Lajmet e fundit
U promovua libri Pavarësi dhe Personalitete i dr. Jakup Krasniqit
E Diel, 30.12.2012
Me rastin e përmbylljes së vitit festiv "100 vjet Pavarësi" dhe 21 vjetorit të sulmit serb në Prekazin Legjendar, sot në Prishtinë u promovua libri "Pavarësi dhe Personalitete", i dr. Jakup Krasniqit (kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës).
Në përurimin e këtij libri, morën pjesë figura të shquara të artit dhe kulturës, veprimtar të çështjes kombëtare, kritikë letrarë, studiues dhe historianë nga të gjitha viset shqiptare.
Me këtë rast, në cilësinë e botuesit foli, Avdullah Zeneli, i cili botimin e këtij libri e vlerësoi të rëndësisë së veçantë, duke theksuar se përkon me vitin jubilar të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 21 vjetorit të sulmit serb në Prekaz.
Për përmbajtjen e librit folën, prof. Adem Gashi, shkrimtari Ramiz Kelmendi dhe deputeti Hydajet Hyseni. "Me këtë libër, autori bënë shumësinë përmbledhëse që shfaqet një herë në 100 vjet", tha prof. Gashi. Ndërkaq, shkrimtari Ramiz Kelmendi vuri në dukje se: "Emëruesi i përbashkët i të portretizuarve, apo personaliteteve që merr në shqyrtim Jakup Krasniqi në këtë libër, është jo interesi material, jo pozita apo karriera me ç'do kusht, por krejt me shkronja të mëdha: atdhedashuria". Duke shprehur mendimin e tij rreth këtij libri deputeti, Hydajet Hyseni, tha se ky libër mund të quhet histori politike dhe politikë historike e Jakup Krasniqit.
Për autorin e librit "Pavarësi dhe Personalitete", Jakup Krasniqin, shprehën konsideratë të lartë dhe e përgëzuan për botimin edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, akademik Rexhep Qosja, deputetët Glauk Konjufca e Daut Haradinaj dhe ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.
Kryeparlametnari Krasniqi, duke iu drejtuar me një fjalë të pranishmëve dhe duke i falënderuar ata për pjesëmarrje tha:" Në këtë vit jubilar, jam përpjekur të them disa mendime të mijat dhe të vlerësojë punën e atdhetarëve të mëdhenj që kanë krijuar vepra të mëdha". Kam përshtypjen, tha në vijim Krasniqi, se sikur u kemi hyrë në hak disa personaliteteve që kanë pasur integritet të veçantë në lëvizjen tonë kombëtare. Përveç kësaj, jam përpjekur të merrem me personalitete që e kapin gjithë hapësirën gjeografike kombëtare, tha ai. Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari Krasniqi, u shpreh: "Pa gatishmërinë për t'i dhënë atdheut që gjithçka njerëzit kanë nga vetja e tyre, sigurisht që nuk do të ishim as ne këtu, në këtë tempull të dijes për të thënë këto fjalë të mira për ata breza atdhetarësh që na e ndriçuan rrugën tonë jetësore".