Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Mërkure, 26.12.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, raportuan ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Agim Ceku, si dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati. Ata informuan anëtarët e komisionit lidhur me punën dhe aktivitetin e Ministrisë së FSK-së, për vitin 2012, si dhe për objektivat e MFSK-së për vitin 2013.
Me këtë rast, ministri Çeku duke folur për raportin e punës së MFSK-së, për të arriturat dhe sfidat e FSK-së, vitin 2012 e vlerësoi si një vit të suksesshëm."Viti 2012 ishte vit i suksesshëm për FSK-në, në arritjen e objektivave të cilat ishin: Aprovimi i Kapaciteteve të Përgjithshme Operacionale, nga ana e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s si dhe shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve për kryerjen e misionit kushtetues dhe në ndihmë autoriteteve civile dhe komuniteteve. Vazhdimi i ngritjes dhe ndërtimi i vlerave të identitetit dhe dukshmërisë-vizibilitetit të FSK-së, fuqizimi i bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n, dhe rishikimi i strukturës, misionit dhe detyrave të MFSK-së në kuadër të RSSS-së (Rishikimit të Strategjisë të Sektorit të Sigurisë)", theksoi Çeku. Ndërsa, përmendi tutje edhe bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, si dhe nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me Gjermaninë, Letoninë, Kroacinë, etj. Po ashtu ai përmendi edhe bashkëpunimin dhe partneritetin me NATO-n, KFOR-in, etj.
Më tej ministri Çeku duke folur për Rishikimin e SSS-së, sqaroi se ky proces ka filluar në muajin shkurt dhe është duke ecur sipas dinamikës.
Krejtësisht në fund ministri i FSK-së, Agim Çeku shpalosi prioritetet për vitin 2013, duke i ndarë në gjashtë sosh: Të bëhet FSK-ja vetë e qëndrueshme dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitete operacionale; Të bërit e FSK-së një forcë të besueshme, të aftë, aktive, vizibile dhe të mirë; Të bërit e FSK-së një forcë për të mirë në regjion; Bërja e FSK-së forcë e zbatueshme; Të Bërit e FSK-së forcë të bazuar nga rekomandimet e RSSS-së dhe; Të bërit e FSK-së një partner i përkushtuar i SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.
Gjatë këtij takimi folën edhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, si dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkelzen Sylaj, të cilët theksuan se bazuar në planin dhe objektivat që i ka pasur MFSK-ja gjatë vitit 2012, janë arritur të gjitha objektivat.
Anëtarët e komisionit, pasi kërkuan disa sqarime nga ministri Çeku lidhur me MFSK-në vlerësuan lart raportin dhe punën në këtë ministri, duke shtuar se në vitin e ardhshëm përveç RSSS-së dhe zbatimit të kësaj strategjie, FSK-ja të jetë ushtri e Kosovës.