Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mbajti takimin e fundvitit me gazetarë
E Mërkure, 26.12.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot takimin e fundvitit me gazetarë, në të cilin prezantoi punën dhe të arriturat e legjislativit të vendit gjatë vitit 2012, në të gjitha funksionet e tij kushtetuese.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se Kuvendi ka vazhduar zhvillimin institucional drejt një tempulli të demokracisë dhe duke qenë njëri nga tri pushtetet demokratike të vendit, ka ushtruar me sukses rolin e tij kushtetues legjislativ, përfaqësues e të kontrollit mbi organet që i ka zgjedhur.
"Jeta parlamentare në Kosovë zhvillohet tashmë në një transparencë të plotë, nëpërmjet të një varg formash, që nga faqja në internet, publikimet, kumtesat, konferencat për shtyp, transmetimet e drejtpërdrejta, komunikimet e hapura me publikun etj", theksoi kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se Kuvendi bashkëpunon ngushtë me institucione të tjera, si Presidenca e Qeveria, me përfaqësues të prezencës ndërkombëtare në Kosovë, me diplomatë të akredituar në Prishtinë dhe me Shoqërinë Civile. Ai tha se në Kuvend ka kohezion politik për çështje të rëndësishme të vendit, kulturë parlamentare e komunikim normal dhe zbatim të procedurave demokratike. Opozita në Kuvend, shtoi më tej Krasniqi, është mjaft aktive, duke shfrytëzuar lirinë e fjalës e të diskutimeve të të gjitha çështjeve, kurse deputetët e komuniteteve pakicë kanë dhënë dhe po japin kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e punëve parlamentare.
Në vazhdim, kryeparlamentari Krasniqi prezantoi në shifra punën e Kuvendit e të trupave përbërës të tij, si dhe të administratës. Ai tha se gjatë vitit që po lëmë pas, Kuvendi ka mbajtur 48 seanca plenare, prej tyre 5 seanca solemne. Janë proceduar 92 projektligje, prej të cilave 15 janë bartur nga viti 2011, 70 janë sjell për procedim Qeveria, 4 komisionet parlamentare, kurse deputetët 3 projektligje. Prej tyre janë miratuar 69, kurse në procedurë të shqyrtimit në komisione të Kuvendit janë edhe 20. Shtatë nga projektligjet e proceduara janë kthyer për ripunim në Qeveri dhe 14 të tjera janë në pritje të kushteve për të hyrë në shqyrtimin e parë në Kuvend.
Krasniqi prezantoi edhe nxjerrjen e një varg dokumentesh të tjera juridike dhe ligjesh me rëndësi të veçantë, duke potencuar edhe amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Kreu i Kuvendit u ndal edhe në aktivitetet mbikëqyrëse të legjislativit, të cilat përfshijnë mbajtjen e katër interpelanca parlamentare, parashtrimin e 160 pyetje parlamentare për kryeministrin dhe ministrat e kabinetit qeveritar, mbajtjen e 12 debateve parlamentare, raportime të shumta të ministrave e agjensioneve të pavarura nëpër komisione etj.
Një theks të veçantë, kryetari Krasniqi i kushtoi edhe diplomacisë parlamentare të Kuvendit, me ç'rast veçoi një varg vizitash të rëndësishme të kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të tjera, në shtete të rëndësishme të Evropës dhe jashtë saj, si dhe vizitave të personaliteteve e delegacioneve të ndryshme ndërkombëtare në Kuvend.
"Kryetari i Kuvendit ka udhëhequr delegacione parlamentare të Kosovës në vizita zyrtare në Shqipëri, Zvicër, Parlamentin Evropian, Turqi, Portugali, Estoni, ShBA, Egjipt, Britani të Madhe dhe Libi, në të cilat është pritur nga kryetarët e parlamenteve dhe nga personalitete të tjera të larta të këtyre vendeve mike", theksoi Krasniqi.
Sa i përket marrëdhënieve me mediat dhe publikun në përgjithësi, kryetari Krasniqi theksoi transparencën që Kuvendi ka kultivuar gjatë gjithë vitit, nëpërmjet hartimit dhe publikimit të mijëra informacione për punën e mekanizmave të Kuvendit dhe për takimet protokollare, botimit të revistës dhe publikimeve të tjera, vizitave të grupeve të shumta të qytetarëve në Kuvend, përgjigjeve pozitive në të gjitha kërkesat për qasje në dokumente publike etj.
Gjatë këtij komunikimi me mediat, kryeparlamentari Krasniqi iu përgjigj edhe interesimeve të shumta të gazetarëve, lidhur me aktualitetin politik në vend.