Lajmet e fundit

Kuvendi mbajti seancën e fundit të Sesionit vjeshtor

E Enjte, 20.12.2012




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit ( një pjesë të saj e ka drejtuar nënkryetari tjetër, Sabri Hamiti), deputetët kanë ngritur shqetësime të ndryshme, sidomos për sa i përket zhvillimit të dialogut me Serbinë, pas bërjes publike të Platformën serbe për bisedime me Kosovën. Duke marrë shkas nga ngritja e kësaj çështjeje nga nënkryetari i Kuvendit, Hamiti, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i garanton deputetët dhe qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë ndarje apo autonomi për pjesën veriore të Kosovës. " Jemi dëshmitar të reagimit agresiv dhe nervoz të Beogradit ditëve të fundits", ka theksuar kryeministri Thaçi. Ai është shprehur se i kupton shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për vazhdimin e dialogut, kur e dinë historinë e programeve serbë kundër Kosovës dhe shqiptarëve (duke i numëruar një për një ato që nga Garashanini e deri të Millosheviqi e Nikoliqi). " Ne institucionet e vendit do të bisedojmë me autoritetet ndërkombëtare që projektet e Beogradit mos të kenë ndikim në Kosovë", ka thënë Thaçi, duke pohuar se përkundër tyre Kosova po arrin suksese në shtetndërtim. Platformën serbe të bisedimeve ai e ka quajtur hap prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, proces ky që mbështetet nga BE-ja dhe SHBA-ja.

"Nuk do të ketë as autonomi e as ndarje të Kosovës", është shprehur i prerë Thaçi. Ndërkaq duke iu kundërvënë zërave se Beogradi po lëviz më shpejt në këtë dialog është shprehur:" Ata po lëvizin shpejt drejt mbrapshtisë së tyre".

Në këtë temë, me tone polemizuese, ka folur edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Pyetjeve të deputetëve në këtë seancë u janë përgjigjur ministrat: Nenad Rashiq, Besim Beqaj dhe Ramë Buja.

Në vazhdim të seancës deputetët kanë shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat. Për shkak të urgjencës së çështjes zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet për herë të parë dhe të dytë në këtë seancë, për çka deputetët kanë votuar me shumicë votash nga shmangja e Rregullores së Kuvendit. Pasi që kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, e ka paraqitur raportin me rekomandime për këtë projektligj, deputetët e kanë votuar amendamentin 1.1., i cili thotë: " Gjykata Supreme vendos në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj".Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen Ligji mbi Gjykatat e Rregullta të KSAK-së dhe rregulloret relevante të UNMIK-ut.

Deputetët pastaj e kanë shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për procedurën përmbarimore, duke votuar për një amendamentet e propozuara nga komisioni funksional, por edhe nga deputetë të veçantë, e duke e miratuar përfundimisht këtë projektligj.

Në të njëjtën seancë është shqyrtuar dhe miratuar edhe Raporti i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011. Gjatë debatit të deputetëve lidhur me këtë raport pune, janë dhënë vërejtje të shumta lidhur me parregullsitë gjatë përzgjedhjes së kryetarëve dhe të anëtarëve të gjykatave në Kosovë, shpeshherë sipas kritereve politike, si dhe për presione mbi gjyqësorin.

Deputetja Flora Brovina, në emër të deputetëve mbështetës të Projekt-Rezolutës partneriteti për ndryshim-Fuqizimi i Gruas, ka kërkuar,që në fillim të seancës së sotme që, për shkak të rëndësisë së saj, Rezoluta të miratohet po në këtë seancë. Me shumicë votash deputetët e kanë miratuar këtë Rezolutë.

 

Kuvendi mbajti seancën e fundit të Sesionit vjeshtorKuvendi mbajti seancën e fundit të Sesionit vjeshtorKuvendi mbajti seancën e fundit të Sesionit vjeshtorKuvendi mbajti seancën e fundit të Sesionit vjeshtor