Lajmet e fundit

Themelohet Dhoma Ekonomike e Gruas së Kosovës G 7

E Mërkure, 19.12.2012




Me iniciativën e grave të suksesshme në biznes u themelua "Dhoma Ekonomike e Gruas në Kosovë-G 7", e cila synon fuqizimin e rolit të gruas dhe zhvillimin ekonomik në gjithë vendin. Në këtë aktivitet, që u mbajt në sheshin e RTV 21, mori pjesë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila duke përkrahur këtë nismë, tha se përfaqësimi i gruas në Kosovë në nivelin qendror është në njëfarë mënyre i plotësuar, por në atë lokal jo sa duhet. Ajo ka premtuar rritjen e kësaj kuote deri në 50 %. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me këtë rast foli deputetja Teuta Sahatqija, kryetare e Grupit të Grave Deputete, e cila i ka dhënë përkrahje formimit të kësaj dhome, duke thënë se kjo dhomë do të ndihmojë në fuqizimin ekonomik të vendit. Sahatqija përmendi artikullin e CNN të znj. Beth Brooks, nënkryetare e Ernst &Yaung dhe këshilltare për biznes e sekretares së shtetit Klinton, e cila ka theksuar se gratë do të ndikojnë në ekonominë globale.

Sahatqija në vijim tha se gjatë vizitës në SHBA, vërehet se si rezultat i angazhimit në afarizëm gratë tani janë blerësit më të mëdhenj të veturave dhe kompjuterëve. "Duke njohur këto gra, gjatë veprimtarisë së tyre në biznes, unë jam shumë e bindur se ato shumë shpejt do të nisin ndikimin e tyre për fuqizimin e gruas, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, duke kontribuar, jo vetëm në fuqizimin ekonomik të Kosovës, por edhe në fuqizimin e gruas në shoqëri dhe në politikë. Ato do të jenë gjenerator i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pra po fillohet me G-7 për t'u shumëfishuar pastaj", theksoi znj. Sahatqija.


Në vazhdim diskutuan edhe zv. kryeministrja e Kosovës , Mimoza Kusari Lila dhe zv. ambasadorja e SHBA-ve, Kelly Degnan.


Kryetare e kësaj dhome u zgjodh drejtoresha e TV 21 znj. Afërdita Saraqini, e cila u falënderua për zgjedhjen në këtë pozitë.

 

Themelohet Dhoma Ekonomike e Gruas së Kosovës G 7