Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 19.12.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2011, në të cilin takim mori pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i MD-së, Hajredin Kuçi.
Me këtë rast kryetari i komisionit, Ali Sadriu, fillimisht sqaroi se raporti për MD-në është me opinion të pakualifikuar dhe se tabelat janë të prezantuara drejtë, megjithatë ai numëroi disa nga të gjeturat që janë evidentuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Nga zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë anëtarët e komisionit kërkuan sqarime të shumta lidhur me Shërbimin Korrektues të Kosovës, për të gjeturat në fushën e prokurimit dhe në zyrën e certifikimit të pagesave, si dhe për regjistrimin e pasurisë.
Pasi kryetari i komisionit paraqiti disa nga vërejtjet rreth të gjeturave në këtë ministri, sqarime nga zv.kryeministri Kuçi, kërkuan edhe nënkryetari i komisionit Murselj Haljilji dhe anëtari Afrim Hoti, lidhur me menaxhimin e veturave zyrtare, si dhe për lidhjen e kontratave me persona të papërgjegjshëm.
Ndërkaq, nënkryetari i komisionit, Ramiz Lladrovci si dhe anëtarja e komisionit Valbona Dibra, duke theksuar faktin se pasqyrat financiare të kësaj ministrie janë të prezantuara drejt, theksuan se krahasuar me vitin e kaluar në MD ka pasur përmirësime të dukshme, për çka e përgëzuan ministrin Kuçi.
Në këtë takim foli edhe zëvendës auditori i përgjithshëm,
Artan Venhari. Me këtë rast ai duke e vlerësuar punën e kësaj ministrie tha se ministri i MD-së është munduar t'i sanksionojë të gjeturat, por brengë kryesore mbetet shërbimi korrektues. Ai tha se rekomandimet e ZAP-it nga MD-ja janë në proces dhe në të ardhmen do të shikojnë adresimin e tyre.
Tutje, foli edhe zv.kryeministri dhe ministri i MD-së, Hajredin Kuçi. Me këtë rast ai tha se sugjerimet e ZAP-it janë reale dhe të drejta, ndërkaq shtoi se MD-ja tashmë ka planin e veprimit, më konkret, për rekomandimet e dala nga ZAP-i.
Kuçi duke sqaruar faktin se ministria të cilën e përfaqëson ai çdo të premte publikon në ueb faqen e internetit të MD-së të gjitha shpenzimet e ministrisë, tha se krahasuar me vitin paraprak kursimi në këtë ministri është rritur mbi 100 për qind.
Ndërsa, sa i përket çështjes së veturave zyrtare të kësaj ministrie, Kuçi tha se MD-ja është ministria e parë që ka JPS-in, duke shtuar se veturat zyrtare të kësaj ministrie përdoren vetëm me autorizimin e ministrit.
"Nuk ka këshilltar të ministrit apo zyrtarë të ministrisë që dalin me vetura zyrtare nëpër shtëpi apo markete ", tha me këtë rast ai duke theksuar se MD-ja ka arritur t'i reduktojë shpenzimet marramendëse siç kanë qenë më herët.
Po ashtu ai foli edhe për lidhjen e kontratave me persona të papërgjegjshëm, ndërsa tha se ka ngritur katër padi në prokurorinë e shtetit për keqpërdorim në MD.
Krejtësisht në fund, ministri Kuçi u zotua se do të ndërmarr masa për adresimin e rekomandimeve të cilat dalin nga raporti i ZAP-it, me ç‘rast theksoi se kërkesat buxhetore do t'i përcaktojnë shumë më qartë dhe se do të bëjnë barazimet mujore dhe tre mujore, duke i përfshirë pasqyrat financiare.
Krejtësisht në fund anëtarët e komisionit vlerësuan se MD-ja ka shënuar përfomancë pozitive, ndërkaq kërkuan që të evitohen krejtësisht të gjeturat nga ZAP-i.