Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryeministrin e Libisë, Ali Zeidan
E Marte, 18.12.2012
Në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Libi, delegacioni parlamentar i Kosovës, sot u prit nga kryeministri i vendit, z. Ali Zeidan.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, pasi i shprehu falënderimet për mikpritjen, kryeministrit Zeidan i përcolli ndjenjat e miqësisë së Kosovës dhe popullit të saj për popullin e Libisë. Ne, tha Krasniqi, i kemi përcjellë nga afër zhvillimet historike në Libi dhe e uroi Libinë për të arriturat pas revolucionit.
"Kosova e dalë nga një sundim i gjatë e i egër dhe nga një luftë e përgjakshme, këto 13 vjet në liri dhe 5 vjet e pavarur, po rimëkëmbet dhe ndërtohet, si një shtet i ri, i lirë, i pavarur dhe demokratik", tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi paraqiti të arriturat e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, siç është ndërtimi i institucioneve demokratike, vendosja e një rendi kushtetues demokratik e modern, ngritja ekonomike dhe stabiliteti shoqëror e politik, njohja ndërkombëtare e pavarësisë, anëtarësimi në FMN, BB, e BERZH, vendosja e marrëdhënieve miqësore me shumë vende etj.
Kosova, tha Krasniqi, është vend i standardeve të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut në përgjithësi.
"Nga 57 vende të Konferencës Islamike, 30 prej tyre e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, prandaj presim me të drejtë që edhe Libia mike të bëjë këtë sa më parë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Libia, mundëson kushtet për të thelluar kështu marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë, në të gjitha fushat. Njohjen e pavarësisë nga Libia e konsiderojmë si një akt miqësie të natyrshme, por edhe kontribut për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë, duke e mundësuar anëtarësimin e tij në OKB dhe organizma të tjerë botërorë", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Kryeministri i Libisë, Zeidan, falënderoi zotin Krasniqi për vizitën, të cilën e konsideroi si hapin e parë të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas revolucionit. Me këtë rast ai tërhoqi paralele midis përpjekjeve dhe luftës së dy popujve për liri dhe demokraci. Zeidan tha se pas këtyre ndryshimeve të mëdha në Libi, janë krijuar kushtet për të zbatuar vullnetin për miqësi të të dy popujve tanë dhe për vendosje të marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Kryeministri Zeidan tha se ka vetëm një muaj në këtë post, por siguroi që shumë shpejt do të ndërmerren hapa në drejtim të njohjes së Kosovës, duke respektuar disa procedura të nevojshme administrative dhe ligjore.
"Në parim, ne nuk kemi asnjë problem që ta bëjmë njohjen, për më tepër që për ne, Kosova ka një rëndësi të veçantë", u shpreh kryeministri i Libisë.
Në mbrëmje, delegacioni do të takohet me një grup qytetarësh të Kosovës, me qëndrim në Libi.