Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi filloi vizitën zyrtare në Libi
E Hënë, 17.12.2012
Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, me të arritur sot në Libi, u prit nga kryetari i Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar të Libisë, z. Mohamed Yousef el-Magariaf, si dhe nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë e Komisioni për Siguri Kombëtare i Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar.
Duke i shprehur mirëseardhje delegacionit, parlamentarët libianë konfirmuan ndjenjën e miqësisë së popullit dhe të udhëheqjes së Libisë së re, për Kosovën dhe popullin e saj.
Kryetari Krasniqi, pasi i uroi mikpritësit për rimëkëmbjen dhe ndërtimin demokratik të Libisë, i informoi ata me zhvillimet në Kosovë dhe u kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Libia mike.
Kryetari Mohamed Yousef el-Magariaf, tha se nuk sheh vështirësi për njohjen e Kosovës dhe se ajo është vetëm çështje kohe. Ai ishte plotësisht dakord me zotin Krasniqi, që marrëdhëniet midis dy vendeve dhe parlamenteve tona të thellohen.
Përfaqësues të dy komisioneve parlamentare të Libisë, shprehën admirimin për popullin e Kosovës dhe përpjekjet e tij për liri e përparim të vendit. Lidhur me njohjen e Kosovës, ata besonin që së shpejti do të ketë lajme të mira nga Libia.
U bisedua gjerësisht edhe për format e bashkëpunimit të dy parlamenteve.
Takimet u zhvilluan në një frymë miqësie të sinqertë midis palëve.