Lajmet e fundit
Hamiti dhe Hyseni në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
E Premte, 14.12.2012
Sot, në Torino të Italisë, ka filluar punimet takimi i Komisionit për Politika të Jashtme dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin po merr pjesë edhe një delegacion i Republikës së Kosovës, në përbërje: Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit dhe Hydajet Hyseni, nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Temë kryesore e këtij takimi ka qenë miratimi i një rezolute dhe i rekomandimeve për situatën në Kosovë. Rezoluta dhe Rekomandimet janë bërë në bazë të Raportit të raportuesit për Kosovën, Bjorn Fon Sidou.
Gjatë seancës, që ka zgjatur për rreth dy orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hamiti dhe Hyseni, kanë dhënë përgjigje dhe sqarime për pika të veçanta të Rezolutës dhe Rekomandimeve për Kosovën.
Rezoluta dhe Rekomandimet kanë të bëjnë, në mënyrë të veçantë, me krijimin e institucioneve demokratike në Kosovë, me sundimin e ligjit dhe me të drejtat e njeriut. Në Rezolutë theksohen shprehimisht marrëdhëniet e drejtpërdrejta ndërmjet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hamiti dhe Hyseni, kanë kërkuar me këtë rast nga vendet e Këshillit të Evropës që ta njohin Kosovën, në mënyrë që brenda këtij institucioni të krijohet status përkatës për vendin tonë, që do të hapte mundësi për bashkëpunim dhe komunikim normal.