Lajmet e fundit

GGD –ja organizoi një mbrëmje humanitare për blerjen e mamografit mobil

E Premte, 14.12.2012




Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Teuta Sahatqija, organizoi dje në Prishtinë, një mbrëmje humanitare për blerjen e mamografit mobil (Ma-Mo), në të cilën morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ministrat: Mimoza Kusari Lila, Vlora Çitaku, Ferid Agani, pastaj përfaqësues të komunave dhe institucioneve të tjera vendëse e ndërkombëtare.


Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija, në fillim tha:" Si deputete të të gjitha partive dhe komuniteteve jemi bërë bashkë për të punuar për interesin e gruas, mirëqenien e saj dhe të vetë qytetarëve. Duke identifikuar kancerin e gjirit, si sëmundje me përmasa shqetësuese që po godet gratë dhe si pasojë e saj po pësojnë jo vetëm ato , por edhe familjet , kemi marrë iniciativë për blerjen e Mamografit mobil".


Menaxherja e projektit, znj. Donika Kadaj Bujupi, theksoi se fjala është për një aparaturë lëvizëse, me anë të së cilës, bashkë me stafin profesional, ( i cili falë një donacioni do të jetë i specializuar nga donator të jashtëm), sipas një orari të përcaktuar do të jetë në çdo vendbanim të Kosovës, ndaj të gjitha gratë do të kenë mundësin të bëjnë ekzaminimin e kësaj sëmundjeje.


Presidentja e Kosovës , znj. Atifete Jahjaga e përgëzoi GGD-ën për këtë nismë. Ajo tha se kontrolli i rregullt do të thotë shërim, ndërsa kjo nismë pos tjerash do të ndikojë edhe në vetëdijesimin e grave për parandalim të kësaj sëmundjeje.


Flora Brovina u shpreh se blerja e kësaj pajisjeje është një përpjekje e kahmotshme e grave për të luftuar këtë sëmundje. Ajo në vijim përmendi organizimet e shumta që i bënin me gra për t' i informuar ato se si bëhet ekzaminimi i kësaj sëmundjeje. Brovina tha se është amandamentuar Ligji për shëndetësi, në të cilin pos tjerash është janë përfshirë edhe masat e luftës kundër kancerit në gji dhe qafë të mitrës.


Ministri Ferid Agani foli për aktivitetet që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë me Planin Strategjik për të luftuar kancerin e gjirit. Në këtë vështrim,kjo ministri do të ofrojë të gjitha kapacitetet për të parandaluar dhe minimizuar pasojat nga kjo sëmundje, theksoi ai.


Në emër të OSBE-së, e cila po ndihmon fushatën për blerjen e Ma-Mo, duke ndihmuar edhe organizimin e këtij aktiviteti, znj Elaine Conkievich tha se OSBE-ja është e kënaqur me faktin që po e përkrah GGD-ën në këtë nismë, që është e vështirë, por me qëllime shumë humane.


Donatori më i madh deri tani për blerjen e pajisjeve për zbulimin e kancerit është Ambasada e Mbretërisë së Norvegjeze, e cila kanë kontribuar me 75 000 euro. Përkrahësi i kësaj nisme , ambasadori z. Jan Braathu, tha se GGD-ja është shembulli më i mirë se si politikanet merren me brenga konkrete të shoqërisë, janë shembull se si duhet të funksionojë shoqëria për të bërë vepra të mira, siç është edhe blerja e Ma-MO-os. Të pranishmëve iu drejtua edhe ambasadori holandez në Kosovë z. Robert Bosch. Kjo ambasadë ka dhuruar 20 mijë euro, ndërsa është zotuar se do të japë edhe 5 mijë të tjera.

Për sëmundjen dhe nevojat për aparaturë foli edhe dr.Mejreme Krasniqi Maloku, drejtoresh e Institutit Onkologjik në QKUK, si dhe e mbijetuara nga kjo sëmundje Ajnishahe Shala.
Të pranishmëve iu drejtua pastaj edhe deputetja Mufera Shinik, e cila foli për rëndësinë e diagnostifikimit me kohë të sëmundjes, kurse Emilia Rexhepi tha se komuniteti boshnjak vlerëson lart këtë nismë, e cila do t' iu shërbejë grave nga të gjitha komunitetet.


Në përfundim të kësaj mbrëmjeje Suzana Novobërdali njoftoi të pranishmit se në kuadër të fushatës së deritashme dhe kontributeve të kësaj mbrëmjeje për blerjen e mamografit mobil janë tubuar rreth 200 mijë euro.


Në fund, pjesëmarrësit i falënderoi deputeteja, Alma Lama. Për të pranishmi RTK-ja, që është edhe sponsor medial i projektit, kishte sjellë edhe Bendin e RTK-ës, të cilët ekzekutuan këngë me këngëtaren e njohur, Rona Nishliu.

 

GGD –ja  organizoi një mbrëmje humanitare për blerjen e mamografit mobil GGD –ja  organizoi një mbrëmje humanitare për blerjen e mamografit mobil