Lajmet e fundit

Deputetet Sahatqija dhe Lama marrin pjesë në konferencën dy ditore në Vjenë me temë forcimin e strukturave parlamentare të grave

E Premte, 14.12.2012




Kryetarja e bordit të grupit të Grave Deputete znj. Teuta Sahatqija dhe anëtarja e këtij Bordi, deputetja Alma Lama,morën pjesë në konferencën "Forcimi i strukturave parlamentare të grave deputete në rajonin e OSBE-së, të mbajtur me 10-11 dhjetor, në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Në këtë konferencë të organizuar nga OSBE-IDIHR morën pjesë gra deputete nga 13 shtete të Evropës, Azisë dhe Afrikës veriore, dhe për Republikën e Kosovës kjo ishte pjesëmarrja e parë në një konferencë, e mbështetur nga OSBE, që përfaqësohet në nivel deputetesh.
Kosova ishte ftuar për të ndarë eksperiencën pozitive të Grupit të Grave Deputete. Deputetja Teuta Sahatqia, e cila ishte pjesëmarrëse në panelin e eksperiencave pozitive, foli për mënyrën se si gra të partive të ndryshme , të nacionaliteteve të ndryshme në Kosovë, e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për tu angazhuar për çështjet e grave. "Ne i kemi tejkaluar dallimet tona partiake në emër të një misioni më të madh atë të barazisë gjinore. Grupi i Grave deputete punon mbi bazën e një strategjie me objektiva të qarta, monitorojmë zbatimin e ligjeve, kemi vendosur lidhje me gratë nëpër komuna në mënyrë që të bëhemi zëri i tyre në Kuvend, po inkurajojmë gjithnjë e më shumë gra të inkuadrohen në politikë dhe po përpiqemi ta bëjmë politikën një ambient më të pranueshëm për to" Ajo foli edhe për projekte konkrete si blerja e mamografit mobil, i cili përveçse të ofrojë një shërbim shëndetësor shumë të nevojshëm, synon edhe rritjen e vetëdijesimit për të drejta e grave.
Ndërsa deputetja Alma Lama foli për mënyrën se si mund të gjendet gjuha e përbashkët mes strukturave të ndryshme të shoqërisë si dhe institucioneve publike dhe shoqërisë civile. "Ndonëse jemi në taborre të ndryshme dhe disi antagonistë, kemi shumë pika të përbashkëta me shoqërinë civile: ne dhe ata luftojmë për respektimin e të drejtave të njeriut. Për këtë mund të flasim, dialogojmë dhe bashkëpunojmë. Kjo është një recetë e cila mund të funksionojë në secilin vend," tha Lama. Ajo foli edhe për angazhimin në ndryshimin e strukturave mentale të shoqërisë. "Kjo bëhet në radhë të parë nëpërmjet modelit që ofrojnë vetë ne , me sjelljen dhe angazhimin tonë.", theksoi Lama.
Deputetet e 13 Shteteve u pritën dhe nga Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, znj. Barbara Prammer, nga Komisioni për Çështje Gjinore të Parlamentit të Austrisë, si dhe ministrja për Çështje Gjinore, znj. Heinisch-Hosek. Në këto takime u bisedua për reformat më të fundit që ka ndërmarrë Austria për të avancuar rolin e grave në shoqëri dhe arritjen e barazisë gjinore.

Deputetet Sahatqija dhe Lama marrin pjesë në konferencën dy ditore në Vjenë me temë forcimin e strukturave parlamentare të grave