Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 13.12.2012




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të cilën e kryesoi dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e kryesoi anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët miratuan një mori ligjesh në lexim të dytë dhe të parë. Në këtë mbledhje, deputetët shqyrtuan edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Pas pikës së përhershme të rendit të ditës në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në të cilat u përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritarë, përkatësisht ministrat: Besim Beqaj e Bajram Rexhepi, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitit 2013.

Këtë projektligj para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila fillimisht falënderoi anëtarët e komisionit për kontributin e dhënë gjatë fazës së amendamentimit të këtij projektligji. Ajo në vijim tha se komisioni është përpjekur të bëjë një shpërndarje reale të buxhetit nëpër të gjitha organizatat buxhetore, duke u mbështetur edhe në Raportin e Studimit të Fizibilitetit. Duke e konsideruar si të domosdoshëm miratimin e këtij projektligji, Hadërgjonaj njoftoi se për të arritur një balancim korrekt në shpërndarjen e buxhetit, komisioni ka mbajtur 18 dëgjime buxhetore.

Përkundër praktikës së deritashme, lidhur me këtë projektligj nuk u deklaruan shefat e grupeve parlamentare, andaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e amendamenteve të projektligjit. Pas miratimit të tyre, u hodh në votim projektligji, i cili siguroi votat e mjaftueshme për miratim (64 për, 26 kundër dhe një abstenim).
Pas kësaj, deputetët miratuan Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Propozim vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagave dhe kompensimeve të anëtarëve të institucioneve dhe agjencioneve të pavarura.

Në vijim të mbledhjes, deputetët miratuan në parim Projektligjin për minierat dhe mineralet, ndërkaq, sipas rekomandimit të Komisionit për Bujqësi..., Projektligji për pyjet u vendos t'i kthehet Qeverisë.

Në mbledhjen e sotme plenare, Kuvendi miratoi: Projektligjin për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", Projektligjin për Parkun Kombëtar "Sharri", Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë, Projektligjin për mbrojtjen e bimëve, Projektligjin për punimet nga metalet e çmuara, Projektligjin për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, Projektligjin për arsimin dhe aftësimin për të rriturit në Republikën e Kosovës, Projektligjin për shëndetësi dhe Projekt-Kodin e procedurës penale.

Në fund të mbledhjes së sotme, deputetët miratuan edhe Raportin me rekomandime të Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilin e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti.

 

Nga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e Kuvendit