Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 12.12.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Administratës Publike, për vitin 2011.

Me këtë rast ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar, tha se ministria të cilën e përfaqëson është në fazën e klasifikimeve të vendeve të punës dhe se kjo reformë do të zbatohet.
"MAP-i gjatë vitit 2011 duke ruajtur stabilitetin e gjithëmbarshëm të institucioneve qeveritare ka vazhduar punën për të siguruar ngritje të përformancës së administraës në shërbim të interesave të qytetarëve, si një synim i vazhdueshëm që i shërben plotësimit sa më të shpejtë të kritereve të integrimit evropian, për të siguruar një zbatim sa më efikas të reformave", tha me këtë rast ministri Yagcilar, duke theksuar se në këtë ministri janë shënuar një sërë përparimesh.
Duke folur për rekomandimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, ai tha se MAP ka hartuar një plan veprimi, për vitin 2012, ndërkaq, u zotua se përfomanca në MAP, do të jetë më e mirë se në vitin 2011.

Më pas anëtarët e komisionit paraqitën dhe përkrahën disa nga rekomandimet e komisionit parlamentar për MAP-in. U tha se MAP-i duhet të dorëzojë në komision planin e veprimit lidhur me trajtimin e stoqeve dhe automjeteve. Ndërkaq, u kërkua që MAP-i të ndërmarrë veprime konkrete lidhur me trajtimin e E-sistemit, si dhe MAP-i të nxjerrë vlerësim të kostos për hapësirat që shfrytëzohen me qera nga institucionet.

Më tej anëtarët e komisionit diskutuan edhe rreth materialit të pranuar nga Operatori Ekonomik "ALBES" mbi temën vijuese: Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2011, të cilën e prezantoi kryetari i Komisionit Ali Sadriu.

"Nga materiali që ka pranuar Komisioni nga Operatori Ekonomik "ALBES", "Komisioni duhet t`i kërkoj falje publike këtij operatori, për shkak të dëmtimit të imazhit të tij, duke ju referuar një raporti tendencioz, përgatitur nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm".

Në mbledhjen e mbajtur më 07 Nëntor 2012, Komisioni ka shqyrtuar Raportin e auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë të Punëve të Brendshme, për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2011.

Për shqyrtimin e këtij raporti, Komisioni ka angazhuar edhe ekspert të jashtëm, raportin e të cilit e ka marrë për bazë gjatë sqarimit të këtyre çështjeve. Po ashtu për përfundimet e Komisionit, janë marrë për bazë edhe sqarimet e përfaqësuesve të Ministrisë të pranishëm në mbledhje.

Gjatë shqyrtimit të këtij Raporti kanë marrë pjesë, Ministri i Ministrisë të Punëve të Brendshme, stafi i tij profesional dhe zëvendës auditori i përgjithshëm i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Auditori i Përgjithshëm është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar.

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridikë shtetërorë, përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendrorë dhe lokal, veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve publike dhe të personave juridikë të tjerë, tek të cilët shteti ka një pjesë të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas fushëveprimtarisë të përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, neni 88, ndër të tjera mbikëqyrë ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike në bazë të raporteve dhe pasqyrave vjetore dhe periodike të audituara si dhe raportet e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të gjitha raportet e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të organizatave buxhetore dhe ndërmarrjeve publike, raportet e përformancës të hartuara nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Në mbledhjen e mbajtur me datë 07 Nëntor 2012, Komisioni ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Raport me shkrim, lidhur me të gjitha veprimet e ndërmarra nga kjo Ministri, për të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Sipas kërkesës së Komisionit, Raporti veçanërisht duhet të përmbajë të dhëna për lëndët: furnizim me ushqim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sqarim lidhur me kontratën me Operatorin Ekonomik "ALBES" për ndërtimin e Objektit për Agjencinë për Regjistrim Civil në Prishtinë, si dhe sqarim lidhur me kontratën për furnizim me inventar për zyre, për Policinë e Kosovës.

Komisioni ka kërkuar këto sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme, sepse të gjetura ishin shumë serioze si: 999 euro për metër kub beton, pastaj çmimi 5 euro për dyer dhe dritare etj.

Komisioni ka pranuar raport kthyes nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe të njëjtin ka planifikuar ta shqyrtoj bashkë me Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një nga mbledhjet e radhës.

Komisioni merret me mbikëqyrjen e shpenzimit të parasë publike nga Institucionet që në mënyrë direkte ose indirekte financohen nga buxheti i shtetit dhe për punën e tij i përgjigjet vetëm Kuvendit", sqaroi me këtë rast kryetari i komisionit, Ali Sadriu.

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike