Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi ambasadoren franceze, Maryse Daviet

E Mërkure, 12.12.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Pasi e uroi ambasadoren Daviet për detyrën e re, si përfaqësuese e shtetit francez në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi atë me punën dhe të arriturat e Kuvendit të Kosovës, me përbërjen e tij dhe përfaqësimin e komuniteteve pakicë. Kryetari i Kuvendit u ndal edhe në zhvillimet në vend, me theks të veçantë ato në veri, si dhe raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Kryetari Krasniqi e vlerësoi lart ndihmën e gjithanshme të Francës për Kosovën, ndërsa marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Kombëtare të Francës i konsideroi të shkëlqyeshme.

Ambasadorja Daviet, pasi shprehu kënaqësinë që do të përfaqësojë Francën në shtetin e pavarur të Kosovës, theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive. Duke e konfirmuar mbështetjen e Francës dhe atë evropiane për Kosovën, ajo tha se Bashkimi Evropian është i interesuar që Kosova të ecë përpara në të gjitha fushat.

 

Kryeparlamentari Krasniqi ambasadoren franceze, Maryse Daviet