Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në tryezën me temën Zhbllokimi i bllokimit: e ardhmja e reformës elektorale
E Mërkure, 12.12.2012
Në një tryezë të organizuar sot nga Instituti Demokratik për Zhvillim, me temën: "Zhbllokimi i bllokimit: e ardhmja e reformës elektorale", që u mbajt në Prishtinë, mori pjesë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi në fillim të fjalës së tij u shpreh se reformimi i sistemit zgjedhor në Kosovë përbën një kusht të domosdoshëm para se të vazhdojmë proceset e reja elektorale. Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, në të cilat u evidentuan parregullsi të shumta, kreu i Kuvendit tha:" Shumë nga parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara në Kosovë, por jo të gjitha, kanë qenë pasojë e legjislacionit dhe e rregullave zgjedhore në fuqi". Duke folur për angazhimet e Kuvendit të Kosovës për reformimin e procesit të zgjedhjeve, kreu i Kuvendit njoftoi se Kuvendi i Kosovës ka formuar dy komisione të veçanta parlamentare, njëri për të përgatitur ndryshimet kushtetuese (në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit) dhe tjetri për reformën legjislative për zgjedhjet e përgjithshme. Për sa i përket listave zgjedhore, se a duhet të jenë të hapura apo të mbyllura, kreu i Kuvendit Krasniqi renditi përparësitë dhe të metat që ofron procesi zgjedhor me lista të mbyllura dhe ai me të hapura. Për procesin me lista të mbyllura, Krasniqi tha se ai është më i përshtatshëm për rrethanat në Kosovë, por duhet siguruar mekanizëm që mbron votën e kandidatëve, përderisa listat e hapura duken më tërheqëse dhe demokratike me mundësi të mëdha të manipulimit nga përfaqësuesit partiak në vendvotime.