Lajmet e fundit

Kryeministri Thaçi e informoi Kuvendin për takimin e tretë me kryeministrin e Serbisë

E Mërkure, 12.12.2012




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka njoftuar deputetët lidhur me takimin e tij të tretë në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Pasi i ka falënderuar deputetët dhe Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mirëkuptimin që kanë treguar për kërkesën tij për të informuar Kuvendin e Kosovës për takimin e tretë të radhës që është zhvilluar në Bruksel, kryeministri Thaçi është përqendruar në konkluzionet nga takimi i tretë i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

"Edhe në këtë takim çështja kryesore që është diskutuar ka qenë zbatimi në praktikë i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, përfundimisht përkufizon në praktikë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, dhe normalizon punën e të gjitha shërbimeve që bëhen në pikat kufitare me Serbinë" ka theksuar Thaçi. Ai tutje ka sqaruar : " Implementimi i marrëveshjes së IBM-it ka filluar dy ditë më parë, ka filluar suksesshëm, pra, ka filluar së funksionuari në kuptimin edhe de-jure dhe de-facto pika kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë", duke vlerësuar se dialogu është një kriter dhe standard evropian dhe po ndodh për herë të parë në relacionet Kosovë-Serbi. Ai më këtë rast, u ka bërë thirrje publike gjithë qytetarëve, në veçanti komunitetit serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës, që ta kuptojnë drejtë procesin e zbatimit të IBM-it që është në shërbim të të gjithë qytetarëve, të rendit dhe ligjit, të perspektivës evropiane të dy vendeve tona, dhe gjithë rajonit.

Thaçi ka vlerësuar se vendosja e kontrollit në pikat kufitare me Serbinë, dhe ofrimi i shërbimeve doganore dhe atyre tjera përcjellëse sipas praktikave më të mira evropiane, është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm që mundëson luftimin e kontrabandës dhe qarkullimin normal për qytetarët dhe mallrat.

Ai në vazhdim ka folur lidhur me marrëveshjen për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.

"Jemi pajtuar që në fazën e parë zyrat ndërlidhëse në dy shtete respektive, për shkaqe tashmë të njohura, sidomos atyre të sigurisë, të vendosen në ndërtesat e misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd", ka thënë Thaçi, i cili me këtë rast, edhe njëherë e ka falënderuar baroneshën Ashton për mundësinë e dhënë që zyra ndërlidhëse e Kosovës të vendoset në të njëjtën ndërtesë të misionit të Bashkimit Evropian në Beograd. Ai ka sqaruar se zyrat ndërlidhëse do të realizohen deri kah fundi i muajit dhjetor 2012 dhe se për zyrën ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd do të emërohet njëri nga ambasadorët aktualë të Republikës së Kosovës.

Lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare që janë diskutuar në takimin në Bruksel, Thaçi ka përmendur krijimin e një njësie të veçantë, në kuadër të Policisë së Kosovës, për mbrojtjen fizike dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe religjioze serbe që ndodhen në Kosovë, duke e quajtur këtë vendim plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe dokumentet tjera bazë për shpalljen e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

"Pikë tjetër ka qenë transparenca e ndihmës financiare të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë", ka theksuar kryeministri, duke vënë në pah domosdoshmërinë që këto fonde të jenë transparente, kurse transferi i tyre të bëhet në mënyrë institucionale. "Për këtë qëllim ne kemi diskutuar për mundësinë që të themelohet një fond i veçantë i cili do të menaxhohet bashkërisht edhe me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare" ka pohuar Thaçi.

Çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe financimi i tyre do të jetë një temë e veçantë, e cila do të diskutohet në takimin e radhës që do të mbahet më 17 janar 2013, ka thënë kryeministri i Kosovës. Thaçi ka theksuar se një nga pikat kryesore të takimit nga ana tij mbetet , si gjithmonë, çështja e personave të zhdukur. "Kemi ngritur problemin e moszbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe domosdoshmërinë që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë", ka përfunduar kryeministri Thaçi, i cili disa herë ka dalë në foltore për të sqaruar deputetët,herë-herë me tone polemike, për rrjedhën, për rezultatet edhe për pasojat e bisedimeve me Serbinë.

Në vazhdim të seancës deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me bisedimet me Serbinë, të cilat kryesisht përputheshin me qëndrimet tashmë të artikuluara të subjekteve politike nga vijnë.

Duke e marrë fjalën në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Arsim Bajrami i ka dhënë mbështetje të plotë të gjitha pikave të prezantuara nga kryeministri Thaçi. Ai e ka lavdëruar Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, duke theksuar se Serbia tashmë po e trajton si shtetëror kufirin me Kosovën, pavarësisht se si e quajnë atë në Beograd për konsumim të brendshëm. Bajrami ka sugjeruar që Qeveria e Kosovës të hartojë një listë prioritetesh për këto bisedime, në mënyrë që të imponojmë agjendën tonë gjatë dialogut. Ai ka theksuar rëndësinë që ka ndërmjetësimi i bisedimeve nga BE-ja dhe politika e njëjtë e këtij unioni që duhet ndjekur ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i ka vlerësuar të paplota informatat lidhur me bisedimet me Serbinë. Ai i ka quajtur dykuptimshme të gjitha marrëveshjet e arritura, varësisht si interpretohen në Prishtinë apo në Beograd. Beqiri ka shprehur shqetësimin e tij për pasojat e këtyre marrëveshjeve për Doganat dhe për Buxhetin e Kosovës. Ai është shprehur këmbëngulës në kërkesën që sistemi doganor i Kosovës të mbetet unik.

Afrim Kasolli, në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje! , ka theksuar se dialogu me Serbinë përditë e më tepër po dëshmon se sa i dëmshëm është për Kosovën, duke spikatur se dëmet e pariparueshme shtrihen në planin politik, ekonomik dhe juridik. Ai ka theksuar se ndërkohë që na thuhej se dialogu na shpie drejt integrimeve evropiane, konkluzionet e fundit të Brukselit lidhur me Kosovën na e pohojnë të kundërtën.

Ardian Gjini, duke i dhënë mbështetje kryeministrit Thaçi në emër të AAK-së në dialogune zhvilluar me kryeministrin serb , Daçiq, ka theksuar se Qeveria jonë duhet të jetë tejet e gjallë në implementimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Ai ka theksuar se grupi i tij parlamentar do të vazhdojë ta mbështesë procesin e dialogut me Serbinë derisa ta vlerësojë se ai është i dobishëm për Kosovën.

Myzejene Selmani, kryetare e Grupit Parlamentar të KKR-së, duke i dhënë mbështetje kryeministrit Thaçi në dialogu e zhvilluar me kryeministrin serb , ka theksuar se me Rezolutë të Kuvendit është autorizuar kryeministri të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për këtë dialog ta njoftojë Kuvendin, gjë që edhe po e bën. Ajo ka theksuar se Kosova ka ligje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka kërkuar që të shuhen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.

Në emër të Grupit Parlamentar të SLS-së, Petar Miletiq, u ka dhënë përkrahje të plotë kryeministrave Thaçi dhe Daçiq për marrëveshjet e arritura në Bruksel. " Integrimi i doganave është në interes të dyanshëm. Dialogu do t'i relaksojë marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", ka theksuar Miletiq.

Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, ka tërhequr vëmendjen se me Rezolutë të Kuvendit parashihet që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë të kalojnë në Kuvend dhe se vetëm kur të miratohen me dy të tretat e votave të deputetëve bëhen të plotfuqishme dhe të zbatueshme. " Thaçi po thotë se janë marrëveshje ndërkombëtare, prandaj unë po them: sillini pra në Kuvend për miratim", është shprehur Hamiti.

Në debatin lidhur me bisedimet me Serbinë kanë marrë pjesë deputetë tjerë të shumtë. Në debat janë përfshirë edhe kryeministri Thaçi, zv.kryeministrja Edita Tahiri dhe ministrat: Bedri Hamza e Bajram Rexhepi, të cilët kanë ripërsëritur replika me deputetë edhe për çështje jashtë temës në shqyrtim.

 

 

Kryeministri Thaçi e informoi Kuvendin për takimin e tretë me kryeministrin e SerbisëKryeministri Thaçi e informoi Kuvendin për takimin e tretë me kryeministrin e Serbisë