Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 10.12.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtua raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011, të cilin e prezantoi kryetari i KGJK-së, Enver Peci.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti u ngritën një sërë çështje dhe shqetësime nga anëtarët e komisionit në pyetjet e të cilëve u përgjigj kryetari i KGJK-së. Megjithatë, raporti mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit për shqyrtim në mbledhjen e Kuvendit.
Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim edhe Projektligjin për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës. Kjo çështje mbeti të shqyrtohet në një mbledhje tjetër të radhës, pas verifikimit nga sekretaria e Kuvendit rreth bazës kushtetuese, me theks të veçantë për çështjen e emërimit të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Më tej, u shqyrtua dhe u përkrah në parim edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për gjykatat. Ndërkaq, u shqyrtua edhe përfundimi i Kryesisë nr. 04-P-121/k, që ka të bëjë me amendamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Objekt i çështjes së kërkesës ishin dy amendamente kushtetuese. Pasi u diskutua amendamenti që ka të bëjë me Amnistinë, u theksua se paragrafi i parë përkitazi me çështjen e personave të cekur me emër, pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut. Anëtarët e Komisionit u dakorduan që këto amendamente t'i kthehen Ministrisë së Drejtësisë, për të vepruar në pajtim me vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Krejtësisht në fund, anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, me ç‘rast mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të komisionit.