Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në tryezën me rastin e shënimit të 10 dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut
E Hënë, 10.12.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në një tryezë me rastin e shënimit të 10 dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me temë: "Pjesëmarrja dhe përfshirja , nuk janë privilegj, por e drejtë", e cila u mbajt në Prishtinë,nën patronatin e Avokatit të Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi. Pasi përshëndeti të pranishmit, kryekuvendari Krasniqi, përkujtoi Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Deklaratën Universale , të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-ës, më 10 dhjetor 1948. Që nga ajo ditë , tha kreu i legjislativit të vendit Krasniqi, bota jonë përpiqet të sigurojë dhe të zbatojë të drejtat dhe liritë njerëzorë e individuale sipas standardeve ndërkombëtare, të konfirmuara edhe në institucionin kombëtar. Megjithatë, duhet thënë se si në nivelin ndërkombëtar ,ashtu edhe në atë rajonal, të gjitha kërkesat dhe parimet që dalin nga ajo Rezolutë nuk po realizohen. Kosova para pak vitesh ka dalë nga një luftë e sundim i egër dhe i gjatë, gjatë të cilit janë shkelur të drejtat më elementare të njeriut, prandaj është dashur një luftë çlirimtare e popullit tonë e ndihmuar nga NATO-ja, që do të thotë se edhe në kohën moderne përdoret edhe intervenimi i forcave ushtarake, atu ku shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut, por jo gjithherë forca ushtarake arrin të jetë në funksion të realizimit të të drejtave të njeriut. Shoqëria njerëzore, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, duhet të formojë mekanizmat civil për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kosova në vitet e saj të lirisë dhe të pavarësisë duhet të konsolidojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve ndërkombëtare demokratike. Në Kosovë është vendosur rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes,demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave për liri dhe sundim të ligjit. Por, praktika kudo në botë, e edhe tek ne, ka treguar se shumë më lehtë është të përcaktohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë, të bëhen ato pjesë edhe e Kushtetutës dhe e ligjeve, por realizimi i tyre është vërtet i vështirë dhe do kohë e përpjekje të gjithanshme nga të gjitha subjektet për t' u sendërtuar në praktikë. Ai në vijim tha se të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, me ligje dhe Pakon e Ahtisarit, të cilat janë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës. Me mbrojtjen e tyre merret Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe shoqëria në përgjithësi, si dhe shoqëria civile e cila ndoshta duhet të jetë edhe më e angazhuar për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi tha :"Ju e dini se , jo vetëm që shkelen të drejtat e njeriut të kategorive të ndryshme, ndoshta edhe nga shkaku i mungesës së mjeteve financiare, por jo gjithherë është kështu. Shkelet e drejta edhe atëherë kur vota e qytetarit nuk shkon në adresën e duhur, do të thotë dikujt iu ka mohuar ajo e drejtë, prandaj format e shkeljes së të drejtave të njeriut janë shumë dimensionale. Sipas Kushtetutës sonë askush nuk është mbi ligjin, të gjithë janë të barabartë para ligjit, por jo pak herë gjatë këtyre viteve kemi parë se ndoshta pikërisht ata që kanë marrë përgjegjësinë të mbikëqyrin sundimin e rendit dhe të ligjit, bëhen pjesë e shkeljes së ligjit për shkak fuqisë që e kanë, për shkak të fuqisë që i ofron ndonjë instrument. Padrejtësia më e madhe është kur e drejta shkelet pikërisht nga ata që duhet të mbrojnë atë. Në këtë rast padrejtësia është shumëfish më e madhe. Me gjithë progresin në Kosovë, ende shkelen të drejtat e njeriut, prandaj duhet të jemi të gjithë të angazhuar për të kërkuar me konsekuencë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut" , theksoi kryekuvendari Krasniqi. Ai në vijim kujtoi një rast nga antika kur në pyetjen se cili qytet është më i kulturuari, është dhënë përgjigjja, ai ku qytetari reagon në padrejtësinë që i bëhet tjetrit. Në këtë frymë , kryekuvendari Krasniqi, edhe njëherë apeloi për mbrojtje me vendosmëri të të drejtave të njeriut, drejt një shoqërie më të përparuar e më demokratike.