Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 10.12.2012





Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet tri herë gjatë kësaj jave. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit, në takimin e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.

Kryesia i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për ta mbajtur fjalimin e saj vjetor në Kuvend, duke thirrur seancën të veçantë më 12 dhjetor (para dite) për adresimin e presidentes Kuvendit.

Në të njëjtën ditë, në një seancë tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta informojë Kuvendin lidhur me bisedimet me Serbinë.

Në seancën e 13 dhjetorit do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.

Në vazhdim to të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-163 për minierat dhe mineralet, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen edhe: Projektligji për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna" dhe ai për Parkun Kombëtar "Sharri", Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë, ai për mbrojtjen e bimëve, Projektligji për punimet nga metalet e çmuara, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, Projektligji për arsimin dhe aftësimin për të rriturit në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për Shëndetësi.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagave dhe kompensimeve të anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura.

Kryesia, pasi e ka shqyrtuar kërkesën për procedimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarët e tyre (të hartuar nga Grupi Parlamentar "Vetëvendosje!"), ia ka përcjellë atë Qeverisë për mendim.

Si rëndom, edhe kjo seancë e rregullt e Kuvendit, do të fillojë me pikat e përhershme: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit