Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në Konferencën shkencore “Dyzet vjet të shqipes standarde arritje dhe probleme aktuale”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e Gjuhës Shqipe e Kosovë

E Premte, 07.12.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në konferencën shkencore "Dyzet vjet të shqipes standarde arritje dhe probleme aktuale", organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e Gjuhës Shqipe e Kosovës, të cilën e hapi dr. Shefkije Islamaj. Pasi përshëndeti të pranishmit, kryekuvendari Krasniqi, theksoi se këtu e dyzet vjet më parë, kombi i ndarë shqiptar kishte arritur të njësonte dhe standardizonte gjuhën e tij, e cila ndonëse e ndaluar dhe e persekutuar, vazhdoi zhvillimin e saj historik në gjithë botën shqiptare.

Përpjekjet për gjuhën shqipe fillojnë nga Budi, Bardhi e Bogdani, për të vazhduar me Kristoforidhin e Sami Frashërin, të cilët hodhën bazat e saj. Kontribut të madh dhanë edhe albanologë të huaj, si: Tunman, Hahn, Majer, Pedersen, Jokli, Vajgandi, etj.

Rilindësit tanë ishin shumë të vetëdijshëm për nevojën e formimit të gjuhës së njësuar e të standardizuar shqipe në rrugën e emancipimit dhe përparimit kombëtar, kurse Aleksandër Xhuvani ishte vazhdues i denjë i këtyre përpjekjeve normëzuese dhe standardizuese të shqipes. Ai u përpoq tërë jetën për ruajtjen dhe përparimin, për konsolidimin dhe pasurimin e gjuhës sonë.

Gjuha shqipe ka bërë tashmë 40 vjet jete të standardizuar dhe të unifikuar. Kombi shqiptar në të gjithë hapësirën e tij gjeografike, si në shkollë e administratë, në letërsi e shkencë, në ligjërim e komunikim përdor gjuhën e tij standarde dhe të njësuar. Në fushën e gjuhës shqipe, por edhe të kulturës sonë përgjithësisht, Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Drejtshkrimit, përbëjnë dy të arritura të mëdha të shekullit të kaluar. Kongresi i Alfabetit shqip në Manastir, më 1908 e bëri të mundur Kongresin e Drejtshkrimit, më 1972, në Tiranë.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi theksoi se gjuha shqipe është gjuhë e gjallë, jo vetëm në kuptimin pse flitet nga rreth dhjetë milionë shqiptarë, e ndoshta edhe më shumë, por edhe pse ajo është në zhvillim të përhershëm dialektik. Leksiku i saj është pasuruar shumë në këto kohë zhvillimi botëror, duke shtuar potencialin e saj shprehës në të gjitha fushat e jetës dhe dijeve multidisiplinare.

Historia e gjuhës shqipe është vetë historia e popullit shqiptar. Gjuha jonë ishte dhe mbetet vlerë identifikuese e kombit shqiptar, prandaj duhet ruajtur e pasuruar.

Instituti Albanologjik i Kosovës, ndonëse në kushte të rënda historike, i ka kontribuuar shumë studimeve albanologjike dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Konferenca shkencore "Dyzet vjet të shqipes standarde arritje dhe probleme aktuale", organizuar nga Instituti ynë Albanologjik, përbën një tjetër sukses të tij, për të cilin meriton t'i shprehet mirënjohje dhe përgëzim të sinqertë.

"Konferencës i uroj punë të mbarë dhe përfundime të studiuara në dobi të gjuhës sonë dhe zhvillimit të saj. Megjithëse koha e tranzicionit ka vështirësi, inkurajoj studiuesit të kontribuojnë në vazhdimësi zhvillimit të gjuhës shqipe", u shpreh kryekuvendari Krasniqi.

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në Konferencën shkencore “Dyzet vjet të shqipes standarde arritje dhe probleme aktuale”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e GjuhKryekuvendari Krasniqi mori pjesë në Konferencën shkencore “Dyzet vjet të shqipes standarde arritje dhe probleme aktuale”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata e Gjuh