Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 06.12.2012
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të së cilës e kryesoi anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët ratifikuan Marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë. Po ashtu, në këtë mbledhje, deputetët shqyrtuan edhe disa propozim-vendime të Qeverisë dhe një Raport të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.
Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në të cilat u përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritarë, përkatësisht ministrat: Fehmi Mujota, Nenad Rashiq, Mahir Yagcilar, Agim Çeku dhe Mimoza Kusari-Lila, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë. Këtë marrëveshje para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza. Ai sqaroi se marrëveshja në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Austrisë, është shumë e favorshme dhe mundëson marrje kredish me norma të interesit shumë të ulëta e me afat të gjatë kthimi. Investimet që siguron kjo marrëveshje, tha në vijim Hamza, do të investohen në sektor të veçantë siç janë: bujqësia, arsimi dhe infrastruktura. Pas kësaj, u deklaruan shefat e grupeve parlamentare, të cilët unanimisht u shprehën në favor të kësaj marrëveshje, e cila gjatë procesit të votimit u miratua pa asnjë votë kundër.
Në këtë mbledhje deputetët miratuan edhe Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për efiçiencën e energjisë. Raportin e prezantoi, Zenun Pajaziti, ndërkaq, rekomandimet e dala gjatë procesit të monitorimit, i paraqiti Visar Ymeri, kryesues i grupit punues për monitorimin e Ligjit për efiçiencën e energjisë.
Gjatë shqyrtimit të Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga tatimi i vlerës së shtuar deri më 31 dhjetor 2014, të cilin e arsyetoi ministri Hamza, deputetët unanimisht vlerësuan se ky propozim-vendim nga ana e Qeverisë, ndikon në zhvillimin e ekonomik të vendit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.
Derisa ky Propozim - vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, u përkrah unanimisht nga deputetët, propozimi tjetër i saj për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u shty për mbledhjen e radhës. Mos shqyrtimi i kësaj pike të rendit të ditës u vendos pas mocionit të ngritur nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mbështetur edhe nga kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Zenun Pajaziti. Propozuesi i këtij mocioni vlerësoi se kandidatët e propozuar për Bordin e AKP-së, nuk e kanë të kompletuar CV-në sipas kritereve të parapara.