Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit FIDES
E Enjte, 06.12.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori mbrëmë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit FIDES të nivelit kombëtar, me ftesë të Forumit për Iniciativë Qytetare, që u mbajt në Prishtinë. Në fjalën e rastit, pasi përshëndeti të pranishmit, në mesin e të cilëve ishte edhe z. Samuel Zhbogar, udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrje në këtë veprimtari, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, të cilën Forumi për Iniciativa Qytetare e ka kthyer tashmë në traditë, duke dhënë edhe Çmimin FIDES, si mirënjohje atyre që kontribuojnë për të mirën e përbashkët.
Ndjenja e solidaritetit dhe humanizmit në Kosovë është edukuar e rritur, sidomos në kohë të vështira. Njerëzit kanë përjetuar dhembje të të gjitha natyrave. Kombi ynë, theksoi në vijim kryekuvendari Krasniqi, ka pasur fatin e keq që të ketë shumë sundimtarë të huaj, mirëpo edhe në këso gjendje të rënda ai shtonte ndjenjën e solidaritetit për njerëzit në nevojë.
Në këto kohëra, vazhdoi Krasniqi, ka pasur edhe trima, por edhe nëna që nuk janë kursyer për të ndihmuar të varfërit, siç ka qenë Nëna Terezë, simbol i ndihmës ndaj të varfërve. "Na vjen mirë që ajo ishte shqiptare, e cila ka ndihmuar të gjithë fëmijët pa marrë parasysh racën. Ne krenohemi me emrin e Nënë Terezës, kësaj gruaje të respektuar në gjithë botën,e cila përbën shembullin më të mirë të përkushtimit human për njerëzit në nevojë dhe të mirën e përbashkët", theksoi ai.
Si një vend i shfrytëzuar egërsisht kohë të gjatë dhe sapo i dalë nga lufta, Kosova ka shumë qytetarë në varfëri të skajshme, invalidë të luftës e të punës, të sëmurë rëndë, grupe shoqërore të papërfshira etj., që presin jo vetëm ndihmën e shtetit, i cili nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat e njerëzve në nevojë,por edhe dorën bamirëse të njerëzve në mundësi për të ndihmuar.
Kryekuvendari Krasniqi inkurajoi të gjitha institucionet dhe individët që edhe më me zemërgjerësi t' i kontribuojnë praktikisht kësaj fryme humane e bamirësie.
Në vijim kryekuvendari Krasniqi në emër të Forumit për Iniciativa Qytetare, i dhuroi Çmimin FIDES për kontribut në nivel kombëtar, AUK Charity Club.