Lajmet e fundit

Tryezë e GGD-ës për buxhetimin gjinor

E Mërkure, 05.12.2012




Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me UN-WOMEN, mbajtën sot tryezë lidhur me bugjetimin gjinor me ç' rast u fol për praktikat e buxhetimit. Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija, tha se buxheti është analizuar dhe propozuar duke pasur para sysh interesin e përgjithshëm, dhe është konsideruar se të mirat dhe shërbimet bëhen për të gjithë, por, duke u ballafaquar me realitetin është parë e domosdoshme që t'i jepet rëndësi edhe buxhetimit gjinor. Buxhetimi gjinor nuk nënkupton dhënien e mjeteve njërës gjini, por për të krijuar të mira dhe shërbime që janë të shfrytëzueshme njëlloj për të dy gjinitë, tha Sahatqija. Në komisione , vijoi ajo, tani duhet t' i kemi parasysh t'i shikojmë ligjet edhe nga ky aspekt.


Flora Macula, nga UN-WOMEN tha se do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kuvendin, në veçanti deputetet, siç janë "work -shopet", duke ju ofruar ekspertizë për buxhetimin gjinor.


Ndërkaq, ekspertet: prof. dr. Monika Kocaqi dhe prof. dr. Rajmonda Duka, folën lidhur me projektet, procedurat, dhe aspektet e tjera të buxhetimit gjinor. Kjo praktikë ekziston në shumicën e vendeve evroperëndimore, madje për herë të parë është nisur nga disa deputetë gjerman. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, është një proces që shërben për të vlerësuar impaktin e të ardhurave dhe shpenzimeve të një shteti mbi gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, tha Kocaqi.


Në tryezë kontribuuan edhe deputetet: Lumnie Morina, Alma Lama, Nazane Breca, Kymete Bajraktari dhe Emilija Rexhepi.

 

Tryezë e GGD-ës  për buxhetimin gjinor