Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 05.12.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar një raport vjetor financiar dhe dy projektligje.
Raportin financiar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për vitin 2011, e paraqiti kryesuesi i këtij Këshilli, Enver Peci, i cili para komisionit prezantoi nivelin e shpenzimeve që ky institucion ka realizuar gjatë vitit të kaluar në të gjitha kategoritë buxhetore.
Duke kërkuar që raportet e ardhshme të jenë më të hollësishme, komisioni përkrahu raportin për vitin e kaluar dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.
Në këtë mbledhje u përkrahën, gjithashtu, Projektligji për procedurën përmbarimore dhe Projektkodi i procedurës penale, me amendamente të komisionit funksional.